Agron Llakaj: Si do të sillet “Al Pazar” me Berishën dhe Ramën

Posted by

39Nga një ish-kryeministër me pushtet në popull, vjen kësaj here si një “Sulejman i qejflishëm” me pushtet mbi femrat në edicionin e ri të “Al Pazar”, që nis sot në “Vizion Plus. Moderatori Agron Llakaj tregon për personazhet e tij dhe për këtë opozitë artistike që pritet të na servirë bashkë me trupën e tij në edicionin e ri.
“Al Pazar”, në natën e parë sot në ekran. Sa do të ndihet fryma e Rilindjes dhe qeverisë së re në këtë show?
Edhe ne e kemi krijuar qeverinë tonë të re, me të cilën publiku do të njihet sot në mbrëmje. Për sa i takon Rilindjes, ky është një koncept që i takon politikës së Edi Ramës. Në art e rëndësishme është të jesh i freskët në ekran, të trajtosh problematikë dhe të tërheqësh vëmendjen. Kjo shkon paralelisht edhe me logjikën e ekonomisë së tregut, që, nëse nuk ndiqesh nga publiku, atëherë je i humbur… E, në këtë kuptim, prandaj dhe ne jemi në procesin e Rilindjes, pra po rilindim (qesh).
Në një kuptim figurativ në “Al pazar” dalin në treg që nga bisedat e tavolinës e deri te votat. Do të jeni në pozitë apo në opozitë me çfarë do të thuhet në këtë “show”?

Në foto: Momente të provave të shfaqjes që do të shihni sonte në ekran

Artisti nga natyra është opozitar dhe partia e tij e madhe quhet “popull”,
patjetër duhet të përfaqësojë interesat e tij. Në këtë kuptim, në tregun e “Al Pazar” këtë vit do të hyjë çdo gjë që ka të bëjë me jetën e shqiptarëve, ekonominë tonë, marrëdhëniet shoqërore etj. Edhe këtë herë do të vazhdojmë me moton tonë “Mjaltë dhe kërbaç”, që do të thotë se morali i show-t tonë është edhe të bëjmë për të qeshur edhe të godasim, e të evidentojmë plagët e shoqërisë. Personalisht nuk më intereson fare politika, nëse ajo nuk u shërben interesave të qytetarëve. Unë i uroj punë të mbarë qeverisë së re, por misioni ynë në “Al Pazar” do të vazhdojë të jetë e qeshura dhe “e vërteta”. Do të jemi një zë i dytë i njerëzve në pamundësi të tyre për të thënë një të vërtetë publikisht.
Por si imitues i Sali Berishës, ke rënie në pozita. Berisha do të vijë si politikan në pension kësaj here?
Unë s’jam i lidhur me Berishën në atë kuptim që perceptohet, pasi aq afër ai është afër vetëm me Lirinë dhe familjarët e tij. Madje, kam dëgjuar që Berisha tani që s’është më në pushtet është shprehur “Aman vetëm Agronin të mos e largojnë nga ‘Al Pazar’”… (qesh). Për sa i përket pyetjes, nuk besoj se karakteri i tij del në pension. Ai është vital dhe historia ta gjykojë më tej. Po ashtu nuk besoj se Partia Demokratike ka luksin për ta humbur Berishën, dhe kështu do vijë ky karakter në “Al Pazar”. Unë personalisht kam bërë oponencën kur ai ishte Kryeministër, dhe si personazh ka marrë vlerën e tij për të vazhduar e për të qenë prezent ende.
Edi Rama si Kryeministër do të marrë epërsi kësaj here, pra do t’i lihet më shumë kohë televizive?
Në formatin tonë televiziv, humori politik  është një njësi e tij dhe do të vazhdojë të jetë po ashtu. Por kjo s’do të thotë se “Al Pazar” do të dominohet nga Edi Rama. Ai le të na kryesojë atje ku ia kemi dhënë votën dhe në këto momente është ai në testim, nuk jemi ne. Si spektator po, mund të na testojë, pasi shumë politikanë ndjekin “Al Pazar”. E nëse do na testojë ai ne, shumë bukur  atëherë, pasi në këtë rast do të shohë veten në pasqyrë. Pra pasqyra e tij jemi ne.
Do të jeni kritikues kështu ndaj Kryeministrit Rama? Po sa mund t’ju besojmë pasi i keni bërë publike bindjet e majta?
Ky është një keqinterpretim që mund t’u jetë bërë deklaratave të mia në media. Personalisht do e konsideroja nder të isha anëtar i Partisë Socialiste, po kam zgjedhur me veten time të kem një teserë më të rëndësishëm, pra të jem shqiptar. Në qoftë se një artist merr guximin të thotë jam me PS apo me PD-në, atëherë humbet morali dhe s ‘mund të bëjë moral më në skenë. Unë kam votuar më 23 qershor, i kam dhënë votën koalicionit të majtë që mori pushtetin. Mund të më jetë ofruar diku ndonjë vend për të qenë, po nëse artisti parcelizohet, s’ia vlen më. Gjithsesi, uroj në radhë të parë që publiku të mos zhgënjehet asnjëherë nga Agroni, qoftë i majtë apo i djathtë.
Meqë jemi te politika, je pro emërimeve të të rinjve në postet drejtuese apo për “xhaketat e vjetra”?
Për të rinjtë vërtet ndiej një lloj kënaqësie, pasi kemi nevojë për emra të rinj për të krijuar një besim të ri. Nëse do të ndërtohej politika me xhaketa të vjetra, sinqerisht do të më vritej besimi.

Nga një kryeministër në pushtet, tani në ‘Sulejman të qejflishëm’”
Keni bërë një listë të artistëve të nostalgjisë, kush do jetë i ftuari sot?
I pari është Nderi i Kombit, aktori Reshat Arbana, që do të pasohet nga shumë emra emblematikë të artit shqiptar.
Cili do të jetë personazhi i ri që do luash këtë sezon?
Përveç shumë karaktereve, këtë herë luaj një personazh të   rëndësishëm, që është “Sulejmani i qejflishëm i miletit”. Pra, unë jam Sulejmani.
Nga Kryeministër, këtë herë një Sulejman i rrethuar nga femrat. Do i kesh të gjitha për vete?  
Po të gjitha dhe një më të preferuar.
Rol shumë të privilegjuar i ke rezervuar vetes, apo jo?…
Po, se më pëlqen të jem edhe Sulltan edhe Mbret, siç kam emrin.
Prania e erotikës në “Show” bëhet për komercializëm nga ana juaj?
Ku e vëreni erotikën?! Gjithçka që ndodh aty, është thjesht marrëdhënie njerëzore, edhe nëse keni parasysh telenovelën “Oqi apo Po”. I vetmi element që s’e kemi bërë asnjëherë në spektakël, është abuzivizmi. Unë nuk e pranoj në asnjë mënyrë që spektatori të na ndjekë sepse femrat ekspozojnë asetet e tyre. Nëse do jetë kështu, le të marrë fund “Al Pazar”… Unë guxoj dhe dua ta thyej tabunë që një krijim të shitet me provokime të tilla. Unë bëj art.
Po, po kur thua “Sulejman i qejflishëm”, patjetër që bëhet lidhja me haremet e famshme…
Jo, pasi morali ynë është për të nxitur frymën e prodhimeve televizive “Made in Albania”… dhe jo për të treguar se kush është Sulejmani.
Të bësh humor ti si Agron, duhet të jesh patjetër në humor?
Unë jam i njëjtë në jetë dhe i njëjtë në skenë. Më pëlqen fjala dhe batuta në skenë, nuk e shikoj si specialist të qeshurën.

Postimet me teme te ngjajshme

Share this article

comments

INFOSHQIP - Informacionet shqip located at Sheshi Skenderbej Pallati Kultures , Tirane, AL . Reviewed by 736 customers rated: 3 / 5
Email
Print
php hit counter