Në kohë luftë asgjë nuk mund të jepet me siguri të plotë, por në rast se nuk do të ketë surpriza të orëve të fundit, Irani ka zyrtarizuar pjesmarrjen në finalet e Kupës së Botës.
Madje e ka bërë këtë me një ceremoni madheshtore, pasi dhjetëra mijëra tifozë u mblodhën për të përcjellë kombëtaren e tyre, që niset drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fazën përgatitore dhe më pas sfidat e “Botërorit 2026”.
“Në Kupën e Botës, Irani do të përfaqësojë popullin, luftëtarët, Udhëheqësin tonë Suprem dhe kombin” u shpreh presidenti i Federatës, Mehdi Taj. Ai do të jetë pjesë e delegacionit iranian, por në fund të prillit, atij iu ndalua hyrja në Kanada, teksa u kthye pas në aeroportin e Toronto, pavarësisht se ishte i ftuar nga FIFA në Kongresin e saj të zakonshëm.
“Ekipi ynë kombëtar është ekipi kombëtar i futbollit të kohës së luftës. Do të jetë një shtyllë autoriteti dhe rezistence”, deklaroi me tej Taj, duke bërë thirrje ndjenjës kombëtare të futbollistëve dhe tifozëve që gjatë gjithë ceremonisë mbanin në duar fotografi të ish Liderit Suprem, Ali Khamenei të vrarë nga sulmet ameriko-izraelite, si dhe pankarta me ku kërkohej që nga lojtarët të këndohej himni pa hezitim gjatë kompeticionit.
Kombëtarja e Iranit do të grumbullohet në Tucson Arizona, ku do të ketë edhe kampin bazë gjatë finaleve të “Botërorit 2026”.
Irani do të luajë dy ndeshje miqësore përpara nisjes së finaleve të Kupës së Botës, ndërsa sfidat në këtë turne do t’i luajë në Grupin G, të gjitha në tokën amerikane.
Sipas kalendarit, ndeshja e parë e kombëtares iraniane do të jetë më 16 qershor kundër Zelandës së Re në Los Angeles, e dyta po në “Qytetin e Ëngjëjve” më 21 qershor kundër Belgjikës dhe e fundit në grup më 27 qershor kundër Egjiptit në Siatëll.
