E enjte, 14 Maj 2026
Lajme

Tabaku në Kuvend: Integrimi europian nuk është propagandë, por test i demokracisë dhe i drejtësisë

1720104339 Joridatabaku 709x400

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, një prej zërave më aktivë të opozitës në procesin e integrimit europian dhe një nga figurat më të besuara të partnerëve ndërkombëtarë në këtë fushë, mbajti një fjalim të fortë gjatë mocionit për debat në Kuvendin e Shqipërisë mbi integrimin europian, projektrezolutën e miratuar në AFET dhe raportin mbi SPAK.

Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se integrimi europian nuk mund të reduktohet në propagandë apo në numrin e ligjeve të miratuara, por është një test real i funksionimit të demokracisë, institucioneve dhe shtetit të së drejtës.

Sipas saj, Shqipëria nuk bëhet europiane “duke hapur kapituj në letër”, por vetëm duke ndërtuar institucione që funksionojnë realisht dhe që garantojnë barazi para ligjit.

Deputetja demokrate evidentoi se raportet ndërkombëtare dhe vetë raporti i Parlamentit Europian kanë ngritur shqetësime serioze për korrupsionin, pandëshkueshmërinë, kapjen e shtetit dhe mungesën e konkurrencës së lirë në ekonomi.

Tabaku deklaroi se testi më i madh për Shqipërinë sot mbetet lufta ndaj pandëshkueshmërisë dhe aftësia e institucioneve për t’i rezistuar pushtetit politik.

Ajo kritikoi fort modelin ekonomik të ndërtuar mbi klientelizmin, tenderat pa garë, koncesionet dhe investimet strategjike, duke theksuar se kontrolli mbi ekonominë, median, administratën dhe procesin zgjedhor përbën formën më të rrezikshme të kapjes së shtetit.

Në një pjesë të rëndësishme të fjalës, Tabaku kërkoi që procesi i negociatave me Bashkimin Europian të bëhet më transparent dhe gjithëpërfshirës, duke i bërë thirrje qeverisë që të zgjerojë ekipet negociuese dhe të përfshijë më shumë aktorë politikë e shoqërorë.

Ajo nënvizoi se integrimi europian nuk është proces i burokratëve apo i ministrive, por proces që duhet t’u shërbejë qytetarëve shqiptarë, fermerëve, bizneseve, studentëve dhe të rinjve që po largohen nga vendi.

“Integrimi nuk është teknik. Integrimi është politik. Integrimi është moral. Është testi i demokracisë”, deklaroi Tabaku nga foltorja e Kuvendit.

Fjala deputetes Tabaku:

Sot është një nga ato rastet e rralla në Parlament kur, në fakt, të dyja anët e politikës po flasin për të njëjtat gjëra. Po flasim për fjalët që duhet t’i kishim thënë çdo ditë dhe jo vetëm ditën kur miratohet një rezolutë.

Një vend nuk bëhet europian duke hapur kapituj në letër. Një vend bëhet europian duke ndërtuar institucione që funksionojnë realisht.

Nuk bëhesh europian duke miratuar ligje me shpejtësi, por atëherë kur qytetari beson se ligji vlen njësoj për të gjithë; kur drejtësia nuk ndalet para pushtetit; kur zgjedhjet nuk kontrollohen nga shteti; kur media nuk kërcënohet nga qeveria; kur fondet publike nuk shkojnë tek një pakicë e lidhur me pushtetin.

Dhe unë besoj se shumë raporte ndërkombëtare i kanë theksuar këto probleme, ashtu siç i thekson edhe raporti i Parlamentit Europian.

Progresi nuk matet me numrin e ligjeve të miratuara, as me prezantimet në PowerPoint që bën qeveria. Progresi matet me reforma të qëndrueshme, të pakthyeshme dhe me funksionimin real të institucioneve.

Shumë raporte ndërkombëtare kanë evidentuar problemet që ka sot Shqipëria, ndërsa në këtë Parlament opozita i ka ngritur vazhdimisht këto shqetësime, duke nisur nga korrupsioni dhe rënia e besimit tek lufta kundër korrupsionit, që sot është kthyer në një pengesë serioze për Shqipërinë.

Thuhet shpesh se vullneti politik është kyç, por mbi të gjitha vullneti i këtij Parlamenti duhet të jetë në luftën kundër korrupsionit dhe në mbrojtjen e institucioneve të drejtësisë.

Sot kemi shumë teste përpara, por testi më i madh është ai i pandëshkueshmërisë. Pikërisht kjo pandëshkueshmëri ka bllokuar për muaj të tërë besimin e publikut dhe progresin real.

Me pak fjalë, problemi në Shqipëri nuk është mungesa e propagandës. Problemi është mungesa e drejtësisë dhe mungesa e ndëshkueshmërisë.

Sepse në Shqipëri kemi krijuar një sistem ku shteti është i fortë përballë qytetarit dhe i dobët përballë pushtetit.

Kemi një sistem ku tenderat, koncesionet, investimet strategjike dhe planifikimi urban janë kthyer në mjete kontrolli politik dhe ekonomik.

Dhe pikërisht këtë duhet të luftojmë. Pikërisht këtë duhet të dënojmë.

Unë besoj se sot fjalë si “Korporata e Investimeve”, “investime strategjike”, apo mekanizma të ngjashëm, janë kthyer në pengesa për konkurrencën dhe zhvillimin real.

Kapja e shtetit nuk fillon vetëm kur kontrollohen gjykatat. Kapja e shtetit fillon kur kontrollohet ekonomia, kur kontrollohen tenderat, media, informacioni, administrata dhe procesi zgjedhor. Fatkeqësisht, të gjitha këto sot janë duke ndodhur.

Për këtë arsye, ne nuk jemi vonë dhe nuk duhet të jemi kurrë vonë për të ndryshuar jo vetëm perceptimin publik, por edhe realitetin që reflekton ky Parlament.

Unë i kam humbur shpresat që kjo mazhorancë ndryshon. Besoj se edhe shumica e shqiptarëve i kanë humbur këto shpresa.

Por procesi i integrimit europian na kërkon të sillemi ndryshe dhe të veprojmë ndryshe.

Na kërkon rezultate. Na kërkon institucione që rezistojnë ndaj pushtetit. Na kërkon drejtësi që nuk ndalet para pushtetit. Na kërkon zgjedhje ku partia nuk bëhet shtet. Na kërkon ekonomi ku konkurrenca nuk mbytet nga klientelizmi. Na kërkon media që nuk jeton me frikë.

Sepse integrimi nuk është teknik. Integrimi është politik. Integrimi është moral. Është testi i demokracisë.

Dhe unë besoj se opozita e ka treguar me kohë që është pro këtij procesi.

Por fjalët e kësaj seance duhet të reflektohen edhe në vendimet e përditshme të qeverisë.

Në javët dhe muajt e fundit, nga komunikimet që kam pasur me Komisionin Europian dhe përgjigjet që kam marrë, është bërë e qartë se pengesa kryesore kanë qenë vendimet e qeverisë shqiptare dhe mbyllja e këtij procesi.

Për këtë arsye, meqë ministri Hoxha është sot këtu, dua t’i them:

Zoti Ministër, unë shpresoj shumë që nga sot e në vijim të përpiqeni që, së pari, të zgjeroni ekipet negociuese; së dyti, ta bëni këtë proces transparent; së treti, ta bëni këtë proces për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Sepse ky proces nuk është as i ekipeve negociuese dhe as i drejtorëve të ministrive.

Ky proces është për fermerët, për bizneset që sot po mbyllen masivisht, për investitorët që kërkojnë siguri, për studentët që largohen dhe për shqiptarët që fatkeqësisht po braktisin vendin.

Për këtë arsye, ky Parlament ka vetëm një detyrë: ta hapë dhe ta bëjë transparent procesin e integrimit.

Këtë po e bën Komisioni Europian. Fatkeqësisht, nuk po e bën qeveria shqiptare.

InfoShqip