
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar se “i vjen sinqerisht keq” për dorëheqjen e Wes Streeting nga posti i ministrit të Shëndetësisë, në një zhvillim që po trondit Partinë Laburiste pas humbjeve të fundit në zgjedhjet lokale.
Dorëheqja e Streeting u bë publike pasditen e së enjtes dhe, sipas mediave britanike, interpretohet si një lëvizje presioni ndaj Starmer për t’u larguar nga posti i kryeministrit dhe nga drejtimi i laburistëve.
Në letrën e tij të përgjigjes, Starmer shprehet se është “thellësisht i zhgënjyer” nga largimi i Streeting, ndërsa e falënderon për bashkëpunimin shumëvjeçar dhe kontributin në rikthimin e Partisë Laburiste në pushtet.
“Kemi punuar së bashku për shumë vite dhe dua t’ju falënderoj për gjithë punën tuaj të palodhur, si për rikthimin tonë në qeveri, ashtu edhe për arritjet tuaja si ministër i Shëndetësisë”, shkruan Starmer.
Kryeministri britanik vlerësoi veçanërisht punën e ish-ministrit në Sistemin Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS), duke theksuar se ai ndihmoi në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe në adresimin e problemeve kryesore të sistemit.
Starmer u ndal edhe te rezultatet e dobëta të zgjedhjeve lokale për laburistët, ku partia humbi rreth 1.500 vende, si dhe kontrollin e Senedd në Uells dhe dhjetëra këshillave lokale në Angli.
“Rezultatet e zgjedhjeve lokale të javës së kaluar ishin jashtëzakonisht të vështira”, deklaroi ai, duke shtuar se shumë anëtarë të partisë panë aleatët e tyre politikë të humbnin mandatet.
Më tej, Starmer paralajmëroi se kundërshtarët politikë të laburistëve përbëjnë “një kërcënim real” për vlerat e partisë dhe për vendin.
“Të gjithë në parti e dimë shumë mirë se kundërshtarët tanë janë më të rrezikshëm se kurrë. Ata përbëjnë një kërcënim real për vlerat që mbrojmë, për komunitetet që përfaqësojmë dhe për vendin që duam”, u shpreh ai.
Në fund të letrës, Starmer theksoi se të gjithë drejtuesit e Partisë Laburiste kanë detyrimin të përballen me atë që ai e quajti “betejë për shpirtin e kombit”, ndërsa shtoi se shpreson të vazhdojë bashkëpunimin me Streeting brenda partisë. /Panorama
The post Ministrit britanik i Shëndetësisë dhe dorëheqjen, reagon Starmer: Më vjen keq që ai po largohet nga qeveria appeared first on Gazeta Express.
