Artistja e re nga Tetova, Era Emurli, duket se është përfshirë në një “konflikt” të vogël në rrjetet sociale me reperen shumë të suksesshme të estradës shqiptare, Tayna.
E gjithë situata nisi pasi Era ishte e ftuar së fundmi në emisionin “R Studio” në Radio Dukagjini, ku performoi live këngën e saj “Shok e 1 shish”. Videoja e performancës u shpërnda më pas edhe në rrjetet sociale, ku mori vëmendje të konsiderueshme nga ndjekësit.
Por ajo që ra më shumë në sy ishte një koment i reperes Doruntina Shala – Tayna, e cila në TikTok i kishte shkruar: “Me tekste të vjedhura nuk e kemi bo”, duke e shoqëruar edhe me një emoji ironik duke qeshur. Komenti u interpretua nga një pjesë e ndjekësve si një thumbim i drejtpërdrejtë ndaj Erës dhe ndaj teksteve të këngës së saj.
Foto: R Studio/TikTok
Megjithatë, Era Emurli nuk ka reaguar publikisht ndaj këtij komenti, të paktën deri tani. Ndërkohë, me një kërkim në TikTok, postimi ku ishte bërë komenti duket se është fshirë, duke e bërë të pamundur verifikimin e mëtejshëm të reagimeve në të njëjtën video.
Pavarësisht kësaj zhurme, Era Emurli po vazhdon të shijojë një moment të mirë në karrierë, teksa po merr vëmendje me EP-in e saj të parë “7 Hije’t”, projekt që e ka prezantuar si një emër të ri në skenën e repit dhe urbanit shqiptar.
Mbetet të shihet nëse kjo situatë do të marrë një zhvillim tjetër, apo do të mbetet thjesht një episod i momentit në rrjetet sociale. /Telegrafi/
