E premte, 15 Maj 2026
Lajme

Tragjedia në Greqi, humb jetën edhe 17-vjeçarja e dytë që u hodh nga tarraca e pallatit me shoqen e saj! Çfarë lanë shënim dy adoleshentet

Ggggg

Ka përfunduar në mënyrë tragjike ngjarja e rëndë që tronditi Greqinë dy ditë më parë, pasi ka ndërruar jetë në spital edhe 17-vjeçarja e dytë, e cila ishte e shtruar në gjendje kritike në Reanimacionin e spitalit KAT.

Kujtojmë se adoleshentja u shtrua në spital pasi u hodh nga tarraca e katit të gjashtë të një pallati bashkë me shoqen e saj, e cila humbi jetën në vendngjarje.

Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, e mitura ndërroi jetë mbrëmjen e 14 majit, në orën 19:54, pas disa ditësh trajtimi intensiv, që prej 12 majit.

“Spitali KAT shpreh ngushëllimet e sinqerta për familjarët e saj”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa sipas informacioneve paraprake, dy adoleshentet kishin lënë shënime personale para ngjarjes, më pas janë ngjitur në tarracën e pallatit, kanë mbyllur derën, kanë vendosur kufje duke dëgjuar muzikë dhe kanë rënë nga lartësia, të kapura për dore.

Në çantën e vajzës që humbi jetën në vendngjarje dhe banonte në atë pallat është gjetur një shënim ku ajo shkruante se vuante nga depresioni, se i donte prindërit e saj dhe se ata nuk kishin asnjë faj.

Ajo shprehej gjithashtu se kishte frikë t’i zhgënjente për shkak të mosarritjes në provimet e maturës, duke përfunduar me fjalët: “Nuk dua të jetoj në këtë botë”.

Gjithashtu, sipas mediave greke, policia ka gjetur edhe një ditar në shtëpinë e vajzës tjetër 17-vjeçare, e cila humbi jetën mbrëmjen e sotme.

Edhe ajo kishte shkruar për depresionin dhe frikën se mund të zhgënjente prindërit në provime.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik në Greqi, ndërsa familjet e vajzave po përballen me një humbje të dyfishtë të rëndë.

Familjarët e njërës prej viktimave kanë bërë thirrje që, në vend të kurorave mortore, të bëhen donacione për organizatën “Buzëqeshja e Fëmijës”, në kujtim të saj.

“Me këtë veprim, kujtimi i saj do të ndihmojë fëmijët që kanë nevojë për mbështetje dhe shpresë”, thuhet në mesazhin e organizatës. /Panorama

The post Tragjedia në Greqi, humb jetën edhe 17-vjeçarja e dytë që u hodh nga tarraca e pallatit me shoqen e saj! Çfarë lanë shënim dy adoleshentet appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip