E premte, 15 Maj 2026
Lajme

“Sprinti final” drejt titullit kampion/ Vllaznia, Elbasani dhe Egnatia në garë, Dinamo City luan për “qejf”

Sezoni i rrregullt u mbyll, por Kategoria Superiore ka ende verdikte për të dhënë. Më i rëndësishmi, sigurisht, është titulli kampion që do të vendoset në sprintin tre javor që nis këtë të shtunë. Vllaznia, Elbasani, Egnatia dhe Dinamo City janë katër skuadrat e “final four”, por vetëm tre prej tyre janë në garë për trofeun, pasi Blutë e kryeqytetit duhet të kënaqen me Kupën e Shqipërisë, që e fituan të mërkurën.

E thotë këtë renditja e përgjysmuar e pikëve sipas formulës së kampionatit, ku Vllaznia dhe Elbasani kanë nga 31 pikë dhe shanse të barabarta, ndërsa Egnatia me 28 pikë nuk duhet të gabojë asgjë, me siguri matematikore, me 24 pikë, Dinamo City luan vetëm për statistika.

Sfida e parë e “finaleve” është në program këtë të shtunë në orën 19:00 mes Vllaznisë dhe bluve të Ilir Dajës në “Air Albania”, ku do të luhen të gjitha sfidat.

Rivaliteti mes dyja skudrave ka qenë I theksuar, por për t’u parë mbetet nëse triumfi në finalen e Kupës dhe objektivi i arritur do t;I japë motivimin e duhur dinamovitëve. E sigurtë është që shkodranët zbresin në fushë plot grintë dhe me bindjen se ky sezon është i duhuri për t;I dhënë fund pritjes së gjatë për një titull kampion.

Finalja tjetër është në program të dielën mes Elbasanit dhe Egnatias.

Skuadra verdheblu gjithashtu beson fort te trofeu, pas një sezoni të rregullt të shkëlqyer. Nga ana tjetër, kampionët në fuqi e humbën shkëlqimin në fazën e fundit, ndërsa vijnë në këtë sfidë jo si favoritë dhe të plagosur nga humbja në finalen e Kupës.

Përballjet e javës së parë në “final four” pritet të jenë përcaktuese dhe mund të projektojnë edhe pretendentët kryesorë për titullin.

Përveçëse kampionit të ri, Kategoria Superiore do të japë një tjetër verdikt të rëndësishëm këtë të shtunë.

Teuta dhe Pogradeci do të përballen në sfidën e play off, që do të vendosë skuadrën që do të luajë në elitë edicionin e ardhshëm. Ndeshja luhet në “Niko Dovana” në orën 16:00, ndërsa durrsakët janë favoritë në shtëpinë e tyre.

InfoShqip