E premte, 15 Maj 2026
Lajme

Ahmeti: Qeveria ka qasje bllokuese ndaj bizneseve – nuk ka as komunikim

Kushtrim Ahmeti

Drejtori Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë, Kushtrim Ahmeti, në EURO n’T7 ka hedhur kritika në drejtim të qeverisë aktuale për shkak të qasjes së saj bllokuese në raport me bizneset dhe mungesës së komunikimit për çështje vitale për bizneset kosovare.

Sipas tij, partitë politike derisa janë në opozitë vijnë, i takojnë bizneset dhe premtojnë përkrahje, ndërsa kur vijnë në qeveri ndryshojnë për 360 shkallë.

Ahmeti përmendi dy raste ku nuk janë marrë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e bizneseve. Rasti i parë ka të bëjë me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, ndërsa rasti i fundit me Ligjin për vendosjen e çmimeve tavan.

“Janë marrë vendime nga qeveria aktuale që janë të gabueshme dhe të dëmshme. Pra, na dërguan në liberalizim të tregut të energjisë pa asnjë konsultim fare me komunitetin e bizneseve, pa asnjë analizë. U rrit çmimi për amvisëri për 16.1%. Pra, partia në pushtet kishte premtuar ulje të çmimit të energjisë elektrike dhe përkrahje të prodhuesve vendorë, ndërsa ndodhi komplet e kundërta. Me rritjen e çmimit të energjisë, shpenzimet për prodhim të këtyre prodhuesve u rritën deri në 80%, që është shumë e dëmshme për biznesin prodhues dhe ekonominë në përgjithësi. Kjo ka ndikuar në rënien e fuqisë prodhuese dhe rritjen e importit, qysh e kemi parë në raportet e fundit, dhe kjo pa dyshim ka ndikuar në rritjen e çmimeve”, ka thënë Ahmeti.

The post Ahmeti: Qeveria ka qasje bllokuese ndaj bizneseve – nuk ka as komunikim appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip