Një aksion i zhvilluar nga Policia e Shtetit në lagjen nr. 1 të Sarandës ka zbuluar një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi, ku po kryheshin punime të paligjshme në një objekt të përbërë nga disa struktura, një pjesë e të cilave ndodheshin edhe në ujë.
Si rezultat i ndërhyrjes, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë arrestoi në flagrancë 8 shtetas që punonin në objekt, ndërsa shpalli në kërkim një shtetase, e cila posedonte hapësirën e plazhit dhe për llogari të së cilës dyshohet se po kryheshin punimet pa leje.
Për rastin u njoftuan menjëherë shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat ndërhynë për prishjen e ndërtimeve të paligjshme.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, vijoi hetimet për të nxjerrë përgjegjësitë e punonjësve të policisë që dyshohet se nuk kishin vepruar për të parandaluar ndërtimin.
Pas veprimeve hetimore u ndaluan katër punonjës policie:
- Komisar Gëzim Bashllari, Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë;
- Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve;
- Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin;
- Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.
Sipas autoriteteve, ndaj tyre rëndojnë dyshime për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, të kryera në bashkëpunim.
Pas ndalimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, urdhëroi pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër efektivëve, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga Policia e Shtetit.
Po ashtu, është pezulluar nga detyra edhe Shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për t’u marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore të zhvilluara nga AMP./abcnews.al
