Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar neutralizimin e Abu Bilal al-Minukit, të cilin e cilësoi si personin e dytë në hierarkinë globale të ISIS-it dhe “terroristin më aktiv në botë”.
Sipas Trump, operacioni u realizua nga forcat amerikane në bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Nigerisë, pas një aksioni të koordinuar ushtarak dhe inteligjent.
Në një postim në platformën Truth Social, presidenti amerikan deklaroi se misioni ishte planifikuar me kujdes dhe u ekzekutua “pa asnjë problem”.
“Sonte, nën komandën time, forcat e guximshme amerikane dhe Forcat e Armatosura Nigeriane ekzekutuan pa asnjë problem një mision të planifikuar me kujdes dhe shumë kompleks për të eliminuar terroristin më aktiv në botë nga fusha e betejës”, shkroi Trump.
Ai shtoi se Abu Bilal al-Minuki, i cili sipas SHBA-së paraqitej si zëvendëskryetar i ISIS-it në nivel global, besonte se mund të fshihej në Afrikë, por ishte nën vëzhgimin e agjencive amerikane të inteligjencës.
“Ai besonte se mund të fshihej në Afrikë, por nuk e dinte se ne kishim burime që na mbanin të informuar për atë që po bënte”, deklaroi Trump.
Deri më tani, nuk ka një konfirmim të pavarur nga autoritetet ndërkombëtare apo nga vetë organizata Islamic State lidhur me identitetin dhe eliminimin e al-Minukit
