
Në një punishte të vogël në qytetin e Korçës vazhdon të mbijetojë një zanat që dikur ishte i domosdoshëm për jetën dhe punën në fshat. Estref Qelemeni është ndër të paktët mjeshtër që ende punon si saraç, duke riparuar dhe përgatitur pajisjet e kafshëve të punës, një profesion i trashëguar nga babai.
Që në fëmijëri, Estrefi kujton se kalonte orë të tëra duke parë të atin teksa punonte me lëkurët dhe pajisjet e kuajve e mushkave.
Megjithëse jeta do ta çonte fillimisht drejt profesioneve të tjera, me kalimin e viteve, Estrefi mori vendimin t’i rikthehej zanatit të vjetër të familjes.
Sot, ai konsiderohet si i vetmi mjeshtër që vazhdon ta ushtrojë këtë profesion në Korçë dhe në zonat përreth. Punishtja e tij frekuentohet nga klientë që vijnë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Greqia, ku tregton një pjesë të punimeve të realizuara me dorë. Për Estrefin, përdorimi i kafshëve të punës është reduktuar ndjeshëm.
Estrefi thotë se e ka të vështirë ta trashëgojë profesionin tek fëmijët. Ata prej vitesh kanë emigruar jashtë vendit dhe nuk janë lidhur me zanatin që ai mësoi nga babai.
/vizionplus.tv
