
Në vitin 2013, Komuna e Prishtinës mori vendim për këmbimin e një pjese të pronës në Breg të Diellit, e cila sot është në pronësi të banorëve me vendim të Gjykatës së Apelit, me një parcelë në Parkun e Gërmisë në pronësi të Mefail Cakollit. Sipas këtij vendimi, toka që ndodhej në një zonë shumë më të vlefshme u shkëmbye me po aq ari në Gërmi.
Megjithatë, dokumentet e siguruara tregojnë se parcela në Gërmi, e përfshirë në këtë këmbim, kishte kaluar më herët në proces eksproprijimi dhe ishte kompensuar nga shteti.
Ndërsa, Komuna e Prishtinës ka dërguar disa dokumente, ku Arkivi Komunal, në vitin 2021, kishte kthyer përgjigje se nuk posedon evidenca lidhur me eksproprijimin e pronës në Sofali. Në përgjigjen ndaj kërkesës për qasje në këto dokumente publike, udhëheqësi i Zyrës Ligjore, Arben Kqira, kishte përfshirë në kopje të komunikimit edhe Mefail Cakollin, ndonëse ai nuk ushtron ndonjë funksion publik apo institucional në Komunën e Prishtinës dhe nuk kishte rol në procedurën e trajtimit të kërkesës për qasje.
Në arsyetimin e tij, Kqira kishte shkruar se:
“Meqenëse gjithë ky hulumtim po behet rreth një ish prone private (tani pronë komunale), atëherë për korrektësi po e vendosi ne CC edhe pronarin e parcelës ne fjale z. Cakolli”.
Ndonëse, thuhet se nuk ka prova për eksproprijimin e kësaj prone, dokumentet që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, e thonë të kundërtën.
Në një dokument që mban datën 9 maj 1989, thuhet “ Jam dakord që toka ime në KO Sofali, Prishtinë, me të cilën jam i njohur plotësisht sa i përket numrit të parcelës dhe sipërfaqes, t’i dorëzohet në procedurë përkatëse Komunës së Prishtinës, me qëllim rregullimin e zonës rekreative “Gërmia”.
Për dhënien e kësaj toke, Novica Jankoviq kërkonte që të kompensohej me para apo me një tokë në Çagllavicë.
Në një procesverbal që pretendohet të jetë i 17 majit 1989, serbi Novica Jankoviq ishte pajtuar të kompensohej me mbi 53 mijë denarë për tokën dhe të mbjellat shumëvjeçare. Zyrtari Velizar Gjuroviq deklaronte se, meqë pronari e pranonte ofertën, ishte dakord që të paguhej shuma e përmendur, ndërsa në fund shkruhej se marrëveshja kishte fuqi ekzekutive.
Pas kësaj, drejtoria për marrëdhëniet pronësore juridike, kishte marrë vendim ku parcelat kadastrale 123 dhe 126 naconalizohej dhe i merrej Jankoviçit për qëllime të Komunës.
Toka thuhej se do t’i dorëzohej Komunës menjëherë pasi të kryhej pagesa e kompensimit.
Narracion: Ndërsa, një urdhërpagesë e datës 18 maj 1989 konfirmon pagesën prej mbi 53 mijë denarësh për Novica Jankoviq.
Ajo që është e çuditshme, është një dokument autorizimi, përmes të cilit Novica Jankoviq autorizon Mefail Cakollin ta përfaqësojë në të gjitha çështjet juridike që lidhen me parcelën 123 në Gërmi. Sipas dokumentit, autorizimi i referohet në mënyrë të veçantë edhe procedurës pranë organeve komunale për kthimin e parcelës në pronësi private.
Në dokument thuhet se parcela i ishte shitur Sabit Cakollit në vitin 1986, ndërsa më pas, në 1989, ishte përfshirë në procedurë eksproprijimi, për të cilën kompensimi i ishte paguar Novica Jankoviqit, i cili më pas ia kishte dorëzuar Sabit Cakollit.
Sipas këtij autorizimi, Mefail Cakolli mund të merrte veprime, të nënshkruante kontratë shitblerje dhe veprime tjera juridike për regjistrimin e pronës në librat publik.
Pra, sipas këtij dokumenti, Jankoviq po autorizonte Cakollin për të kthyer pronën e eksproprijuar për të cilën pranon se është paguar.
Mefail Cakolli, për “Betimi për Drejtësi”, jep versionin e tij se si ishte bërë pronar i pronës në Sofali, përkatësisht në Gërmi, duke pranuar se ishte i autorizuar i pronarit serb për t’ia bartur këtë pronë babait të tij edhe përmes kontratës që thuhet ta këtë bërë në Gjykatën e Graçanicës në 2001.
“Kom pas autorizim, po”, ka thënë ai.
Sipas tij, këtë autorizim e ka pasur në mënyrë të nënshkruaj pasi ai këto prona i posedon nga 1986.
“ Nuk është aspak e çuditshme. Për ty nashta është e çuditshme por nuk është aspak e çuditshme sepse unë i posedojë këto prona prej viti 1986 që e kom ble edhe shpinë e qatij pronari edhe të gjitha pronat e qatij pronari”, ka shtuar ai.
“Edhe ka qenë atëherë një ligj diskriminues… se di çfarë gjenerate je dhe a e din a se din dhe nuk kanë mujt me u bartë pronat në ato kohë…edhe janë bartë pas luftës, në vitin 2001. Kështu që unë edhe sot jetoj në këto prona të tij që i kem ble atëherë. Që i ka ble baba se unë jam trashëgimtar”, ka shtuar ai.
Cakolli shtom se autorizimin e kishte marrë në pamundësi që ish-pronari serb të shkonte në Gjykatë.
“ Por, ai prej pamundësisë për me ardhë në Gjykatë për me i nenshkru, e kam marrë autorizimin dhe i kam nënshkru në Gjykatë. Qato prona krejt që i kam ble ekzistojnë në kontratë. Kurrgjë nuk ka diçka aty kontestuese”, ka thënë ai.
Narracion: Megjithatë, kryetari i atëhershëm Shpend Ahmeti për gjatë kohës sa ishte në pushtet nuk e kishte zbatuar vendimin e 2013 për këmbimin e kësaj prone.
Për çka, Cakolli kishte shkuar edhe me procedura përmbarimore. Për moszbatim të vendimit as pas urdherit përmbarimor, Gjykata i kishte shqiptuar Komunës gjobë 5 mijë euro dhe Shpend Ahmetit gjobë 500 euro.
Ndërsa, në 2023 ish-Kryetarit Ahmeti i është ngritur edhe aktakuzë për mos zbatim të vendimit gjyqësor pasi nuk ka zbatuar urdhrin përmbarimor të formës se prerë.
Avokati Xhafer Tahiri thotë se nga gjitha diskutimet në Kuvend Komunal del që vendimi i 2013 nuk ishte përfundimtar.
“Pastaj ky vendim duket se nuk është bërë kurrë vendim përfundimtar për shkak se ne kemi gjetur dy procesverbale të Komitetit për Politikë dhe financa në mars të vitit 2014 dhe të Kuvendit të Komunës ku vërtetohet se vendimi, ky vendim nuk është aprovuar, pra është kthyer mbrapa për shkak të problemeve që kanë ekzistuar”, ka thënë ai.
Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Skema kriminale: Si u bë kompensimi i dyfishtë i pronës në Gërmi me pronën e qytetarëve në Bregun e Diellit?”, i cili transmetohet në T7 dhe platformat online të “Betimi për Drejtësi”.
The post Kompensim i dyfishtë? Dokumentet dëshmojnë që prona në Gërmi u eksproprijua dhe pagua në vitet 80’ndërkohë që u këmbye serish më 2023 appeared first on Gazeta Express.
