E hënë, 18 Maj 2026
Lajme

Ekipi i fshatit në Bundesliga/ Elversberg me ngjitje historike në elitën e futbollit gjerman

Ky impiant është njohur si “stadiumi pranë blirit perandorak”. Mbi 10 000 tifozë ishin ngjeshur në tribunat e tij në ditën historike, në të cilën një skuadër tepër modeste gjermane, Elversbergu, do të ngjitej në Bundesligë.

Natyrisht, për këtë duhej fitorja apo kombinimi i duhur i rezultateve, dhe gjithçka shkoi fjollë. Ekipi I një qyteze, apo siç mund të quhet edhe i një fshati me 7 000 banorë, do të luajë sezonin që vjen në elitën e futbollit gjerman.

Sfida e javës së fundit ishte ndaj Projsen Mynsterit dhe u fitua 3-0. David Mokva shënoi dy gola dhe një tjetër Bambase Konte. Elversbergu e mbylli Bundesligën e dytë në vend të dytë me 62 pikë, po aq sa Paderborni, por me golaverazh më të mirë, ndërsa kampione doli Shalke.

Skuadra e trajnerit Vinsent Vagner, që u ul në stol verën e kaluar me synim pikërisht elitën, ka qenë në ngjitje meteorike në dekadën e dytë të këtij shekulli. Në 2022 u ngjit për herë të dytë në histori në kategorinë e tretë, ndërsa sezonin pasardhës, në 2023, u ngjit për herë të parë në kategorinë e dytë.

U desh të pritej tre vjet, por mrekullia më në fund ndodhi. Festa ishte e madhe në stadiumin pranë Blirit Perandorak, një peme me histori të madhe që u shkul nga stuhia në 2015, dhe në vend të saj u mboll një tjetër bli perandorak. Kjo ndoshta solli edhe fat./abcnews.al

InfoShqip