
Nga podiumi pranë Strukturës së Posaçme, ku paraqitet dy herë në muaj, Sali Berisha hodhi akuza të rënda ndaj kreut të mëparshëm të këtij institucioni, Altin Dumani. Ai e denoncoi publikisht Dumanin, duke pretenduar se është autor i një megaskandali për falsifikim dokumentesh, tjetërsim pronash dhe pastrim parash, duke nënvizuar se edhe procesi i vetting-ut ishte fiktiv.
Bëhet fjalë për një shtëpi banimi, për të cilën Berisha pretendon se është legalizuar në shkelje të ligjit nga kryeministri Edi Rama, për të mbajtur peng Dumanin.
“Dumani thoshte se ishte e ndërtuar, ishte kishë ku faleshin, dhe i bëheshin dhurata familjes së vjehrrit të tij. E kuptoni tani? Pra, në vitin 2004 toka ishte arë, sipërfaqe e lirë, në pronësi të qytetarit Gëzim Çullhaj. Për Altin Manekun, se këtu ia kalon edhe Irenës në disa aspekte, për Altin Manekun, është ndërtuar në vitin 2000 dhe është banuar që nga viti 2000. Kjo tregon se çfarë vetingu është bërë dhe se si ky është mbajtur peng. Tani, unë kam dokumente me vete, sigurisht. Kjo është deklarata noteriale e vjehrrit të Altin Manekut, Altin Vilës.”
Berisha thotë se disponon dokumente për të provuar atë që e konsideron megaskandal dhe do t’i depozitojë në prokurori.
“Këtu keni dokumentet, hartën kadastrale, legalizimin që fakton se në vitin 2004 ka qenë tokë arë, nuk ka qenë as kishë, as teqe, as xhami. Pra, këta që betohen dhe shkon e predikon ky mashtrues, na predikon, na thotë se ishte faltore. Sigurisht që i dorëzoj në drejtësi. Dosja Gjoka ka një proces. E kuptoni ju apo jo? A e patë si e ka hetuar Troplini procesin e Gjokës? A ua paraqita këtu. A e nxorën Gjokën qelibar? Troplini e ka dërguar qelibar dosjen, sepse e ka vetë të zeza sa ajo.”
Dosja “Partizani”, për të cilën Berisha, dhëndri i tij dhe disa bashkëpunëtorë janë vënë nën akuzë, po gjykohet në Gjykatën e Posaçme. Seanca tjetër është të mërkurën, teksa pritet të japin deklarime dëshmitarët e thirrur nga organi i akuzës.
