E hënë, 18 Maj 2026
Lajme

Kryeministri i Groenlandë: I kujtuam amerikanëve se nuk jemi në shitje

A 188 575x400

Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi se vendi i tij “nuk është në shitje”, pas një takimi me emisarin amerikan në Nuuk. Nielsen e cilësoi takimin me guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si “konstruktiv” dhe tha se bisedimet u zhvilluan me respekt të ndërsjellë.

“E bëmë të qartë se populli i Groenlandës nuk është në shitje dhe se ka të drejtën e vetëvendosjes. Kjo nuk është çështje për negociata”, deklaroi ai para gazetarëve.

Megjithatë, kryeministri theksoi se nuk ka parë ndryshim në qëndrimin e SHBA-së ndaj ishullit arktik. Edhe ministri i Jashtëm i Groenlandës, Mute Egede, tha se “vijat e kuqe” të palëve mbeten të pandryshuara.

Tensionet mes Groenlandës dhe SHBA-së janë rritur pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e kontrollit të ishullit strategjik në Arktik. Ndërkohë, SHBA dhe autoritetet e Groenlandës kanë ngritur një grup pune për të diskutuar çështjet e sigurisë dhe pranisë ushtarake amerikane në rajon.

Emisari amerikan Jeff Landry ndodhet në Nuuk për të marrë pjesë në një forum ekonomik dhe në inaugurimin e zyrave të reja të konsullatës amerikane në ishull.

InfoShqip