E martë, 21 Prill 2026
Të Fundit
Lajme

“Pikat kufitare, një pikë e dobët”/ Siguria ushqimore, Rama: S’është direktivë nga Moska, është për interesin tonë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me operatorë të biznesit ushqimor, ku u ndal te forcimi i sigurisë ushqimore dhe përmirësimi i standardeve në të gjithë zinxhirin e tregtimit të produkteve. Ai theksoi se qeveria synon ndërtimin e një sistemi më të qëndrueshëm kontrolli, i cili jo vetëm mbikëqyr respektimin e ligjit, por edhe mbështet sipërmarrjet që kanë nevojë të rrisin standardet e tyre të punës.

Rama nënvizoi gjithashtu nevojën për rritjen e kapaciteteve laboratorike dhe forcimin e kontrolleve në pikat kufitare, duke e konsideruar këtë një sfidë prioritare për administratën shtetërore. Sipas tij, investimet në infrastrukturë digjitale dhe bashkëpunimi me biznesin janë pjesë e një plani të gjerë për garantimin e produkteve të sigurta për konsumatorin dhe vendosjen e barazisë para ligjit në këtë sektor.

“Të gjithë njerëzit që janë në këtë hallkë të dobët, fillimisht të marrin informacion të plotë se ku ndodhet. Do të jetë një punë e përbashkët, ku nga ana jonë jo vetëm të krijojmë një sistem të qëndrueshëm të kontrollit, të cilat të jenë edhe mbështetëse të çdo sipërmarrjeje që nuk është duke shkelur ligjin, por ka nevojë që të rritë standardet. Kapacitetet tona laboratorike do të jenë më të angazhuara në terren. Pikat tona kufitare janë një pikë e dobët, të cilën do e adresojmë, për të shkathtësuar shtetin për të qenë në krye të detyrës. Kemi një plan konkret investimesh dhe infrastrukturën digjitale, për të plotësuar nevojat e sistemit.

Kjo nuk është një sfidë e cila vjen si rrufe në qiell të pastër, apo një direktivë që vjen nga Moska për Shqipërinë komuniste, siç ka ardhur dikur, por është një nevojë e jona. Përmbushja e kësaj direktive, në radhë të parë është në interesin e njeriut. Është në interesin e njeriut, që të ketë siguri ushqimore, që të ketë barazi para ligjit e shumë të tjera. Pra nuk po e bëni këtë se e kërkon Brukseli, por se e kërkojnë fëmijët tuaj dhe fëmijët tanë.

Keni detyrën që të shisni produkte të sigurta. Të gjitha këto që kërkohen janë paketa e dijes që vjen nga BE për ne dhe për ju, që të tregtojmë në këtë vend produkte të sigurta. Siç ka qenë një dekadë më parë sfidë rendi dhe siguria në rrugët e Shqipërisë, do të jetë sfidë rendi dhe siguria në rrugët e ushqimit, qasja jonë në këtë kohë do të jetë krah për krah me ju. Prandaj do të duhet të ecim krah për krah me ju”, tha kryeministri Edi Rama.

InfoShqip