Paketa e Maleve dhe mbështetja për investimet në turizëm rural janë në qendër të vëmendjes së sipërmarrjes turistike në vend.
Kujtim Dervishi, Kryetar i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave, i ftuar në “Money Report” në ABC News, vlerësoi nismën qeveritare si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e zonave malore dhe rrethinave të Tiranës. Sipas tij, paketa përfshin edhe kredi të buta për bizneset që duan të investojnë në këtë sektor, duke u fokusuar veçanërisht tek emigrantët që synojnë të kthehen në atdhe, si edhe tek qytetarët që jetojnë në Shqipëri dhe kërkojnë të zhvillojnë projekte turistike.
Dervishi theksoi se pushteti vendor luan një rol kyç në zbatimin e kësaj nisme, ndërsa interes i veçantë po tregohet për bujtinat tradicionale, të cilat shpesh ndërtohen në pronat e trashëguara familjare. Ai e cilësoi kreditimin e ofruar nga qeveria si një risi të rëndësishme dhe në kohën e duhur për sektorin.
Sipas tij, Shqipëria nuk mbështetet në industri të mëdha, por në bujqësi dhe turizëm, ndërsa vizitorët e huaj e zgjedhin vendin kryesisht për mikpritjen, ushqimin dhe çmimet e përballueshme. Në këtë kontekst, Dervishi nënvizoi se Paketa e Maleve gëzon mbështetje të gjerë dhe pritet të nxisë më tej zhvillimin e turizmit rural në vend.
“Paketa e Maleve përfshin edhe rrethinat e Tiranës dhe kjo është një gjë shumë e mirë, edhe për kreditë e buta që do u ofrohen bizneseve për këto investime. Në fokus të kësaj nisme janë emigrantët të cilët duan të kthehen në atdhe dhe shqiptarët të cilët jetojnë në vend dhe duan të investojnë. Pushteti vendor ka një rol shumë të rëndësishëm në këtë nismë.
Më shumë interes ka tek bujtinat, ku kanë pasur tokat e të parëve të tyre dhe duan që të investojnë. Kjo kredi që ofron qeveria në këto investime është një risi dhe është në kohën e duhur. Shqipëria nuk ka një industri të madhe, por ka bujqësi dhe turizëm. Të gjithë turistët e zgjedhin vendin tonë më shumë për mikpritjen, ushqimin dhe çmimet se sa për malin apo detin. Ka një mbështetje shumë të madhe Paketa e Maleve”, tha Dervishi.