Evropa po përpiqet të sigurojë rezervat e karburantit për avionët në aeroportet e saj. Alarmi për mungesën e karburantit, që po prek disa aeroporte, kompanitë kryesore ajrore dhe po shqetëson miliona udhëtarë pas rënies së importeve nga Lindja e Mesme, është në tryezën e ministrave të Transportit të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët janë mbledhur në një videokonferencë, ndoshta edhe për të kursyer karburantin e fluturimeve shtetërore.
Takimi synon të japë një panoramë të qartë mbi disponueshmërinë reale të karburantit për avionë në kontinent.
Ky samit i shumëpritur paraprihet nga dy lajme pozitive: falë prodhimit të brendshëm të kompanisë Galp dhe importeve nga Brazili, Portugalia parashikon të garantojë furnizimet me vajguri në aeroportet e saj deri në fund të gushtit.
Po ashtu, ndryshe nga disa parashikime pesimiste, qeveria holandeze vlerëson se e gjithë Evropa ka rezerva karburanti për avionë për rreth 5 muaj. Një periudhë që mund të jetë e mjaftueshme për arritjen e një paqeje të qëndrueshme mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, si dhe për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për cisternat e naftës.
Kërkesat e kompanive ajrore
Ministrat e Transportit do të shqyrtojnë edhe kërkesat e kompanive ajrore, të cilat përballen me problemin e “slot”-eve (të drejtave të ngritjes dhe uljes në aeroporte). Sipas rregullave të BE-së, një kompani duhet të përdorë këto të drejta për të mos i humbur ato.
Gjatë pandemisë së Covid-19, kjo detyroi kompanitë të kryenin mijëra fluturime “fantazmë”, pa pasagjerë, vetëm për të ruajtur slot-et në aeroportet strategjike. Në situatën aktuale, me Ngushticën e Hormuzit të bllokuar, kompanitë kërkojnë nga BE-ja që të ulin fluturimet pa rrezikuar humbjen e këtyre të drejtave.
Një tjetër kërkesë është pezullimi i përkohshëm i sektorit ajror nga “tregu i karbonit”, mekanizmi që detyron kompanitë të paguajnë për emetimet ndotëse të avionëve, të cilët janë burime të mëdha të dioksidit të karbonit.

