Është arrestuar mbrëmjen e sotme, 21 prill, i dyshuari për vrasjen e trefishtë në Podgoricë të Malit të Zi, Vehad Muriç.
“Punonjësit e policisë së Qendrës Rajonale të Sigurisë ‘Veri’, me mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me efektivët e Qendrës Rajonale të Sigurisë ‘Qendër’, pas kryerjes së veprimeve të gjera operative dhe një aksioni taktik të realizuar me saktësi, e lokalizuan në zonën qendrore të qytetit të Rozhajës, në një hapësirë të hapur, V. M. (25) nga Rozhaja, të dyshuar për veprën penale vrasje e rëndë, dhe e arrestuan, për çka është njoftuar prokurori i shtetit në Prokurorinë e Lartë në Podgoricë.
Dyshohet se V. M. më herët, në lagjen Stari Aerodrom në Podgoricë, ka privuar nga jeta tre persona: D. H. (27) dhe N. H. (34) nga Rozhaja, si dhe K. M. (55), shtetas i Republikës së Serbisë nga Novi Pazari”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mes viktimave janë dy vëllezër shqiptarë, Denis Hoti (28 vjeç) dhe Nezrin Hoti (27 vjeç).
Sipas raportimeve të deritanishme, krimi nuk lidhet me përplasje mes grupeve kriminale, por dyshohet se ka ndodhur si pasojë e mosmarrëveshjeve personale.
Autori i dyshuar, Vehid Muriçi nga Rozhaja, dyshohet se e ka kryer vrasjen gjatë natës në një apartament të marrë me qira në Podgoricë, ku jetonte dhe punonte në ndërtim së bashku me viktimat.
Sipas të dhënave paraprake, krimi dyshohet të jetë kryer me armë të ftohtë.
Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes dhe besohet se ka shkuar drejt qytetit të tij të lindjes, ku dyshohet se ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij.
Rasti u zbulua fillimisht pas një denoncimi nga familjarët, çka çoi më pas në ndërhyrjen e policisë dhe zbulimin e vrasjes së trefishtë në Podgoricë.
