
Në mes të një sezoni ku emri i tij ka kaluar nga një premtim në një realitet të prekshëm, Lamine Yamal e bëri edhe një herë të qartë se ku synon të arrijë.
Sulmuesi i ri i Barcelonës, i shpallur së fundmi “Sportisti i Ri i Vitit në Botë” nga “Laureus World Sports Awards”, shprehu hapur atë që shumëkush e kishte menduar prej kohësh: idhulli i tij mbetet Lionel Messi.
Në vetëm 18 vjeç, Yamal jo vetëm që është shndërruar në një nga lojtarët kyç të ekipit, por po shihet edhe si trashëgimtari natyral i një prej legjendave më të mëdha të klubit: Messi.
Kjo është hera e dytë radhazi që ai nderohet nga akademia, pasi në vitin 2025 ishte vlerësuar në kategorinë “Zbulimi i Vitit”.
Duke marrë këtë çmim të ri, Yamal foli për përgjegjësinë që ka si figurë publike.
“Jam krenar që akademia më ka vlerësuar me këtë çmim dhe që jam i pari që e fitoj… Është e vështirë ta kuptosh se është një përgjegjësi dhe nuk mund të bësh gabime sepse je shembull për shumë fëmijë, por e marr si diçka pozitive. Prandaj, sa herë që jap një mesazh, mundohem ta bëj me kuptim dhe me synimin për të ndihmuar më shumë njerëz. Duke e pasur këtë parasysh, ndonjëherë do bëj gabime, por jam vetëm 18 vjeç,” u shpreh ai.
Në fjalimin e tij, ai nuk e fshehu admirimin e madh për Messin.
“Kur e kupton që një sportist nuk është vetëm legjendë në sportin e tij, por në të gjithë sportet, atëherë është sepse është më i miri. Messi është shembull. Ai është futbollisti më i mirë në histori dhe gjithashtu sportisti më i mirë. Për mua nuk është thjesht një idol. Të gjithë e respektojnë për gjithçka që ka bërë dhe për shembullin që jep, dhe shpresoj të ndjek hapat e tij,” tha Yamali.
Argjentinasi mbetet i vetmi futbollist që ka fituar çmimin “Sportisti i Vitit në Botë” në vitet 2020 dhe 2023.
Gjatë kohës së tij te Barcelona, ai shënoi 672 gola dhe fitoi 35 trofe, përfshirë 10 tituj të La Ligas, 4 të Ligës së Kampionëve dhe shumë të tjerë.
Aktualisht, ai vazhdon karrierën tek Inter Miami.
Ndërkohë, pas eliminimit nga Championsi nga Atlético Madridi, Barcelona është fokusuar te kampionati, ku kryeson me 79 pikë, nëntë më shumë se Real Madridi.
Ndeshja e radhës do të jetë ndaj Celta de Vigo më 22 prill në “Spotify Camp Nou”./GazetaExpress/
The post Lamine Yamal: Shpresoj që të shkoj hapave të Lionel Messit te Barça appeared first on Gazeta Express.
