Wednesday, 22 April 2026
Lajme

Dhjetë vite pasi e fitoi Premierligën, Leicesteri bie në Ligën e Tretë angleze

Dhjetë vjet pas fitimit të titullit të Premierligës, Leicester City ka rënë në EFL League One (Liga e Tretë angleze), pasi barazimi 2-2 ndaj Hull City konfirmoi rënien e dytë radhazi për klubin.

Rezultati i lë “Dhelprat”, të cilave iu hoqën gjashtë pikë në shkurt për shkelje të rregullave financiare, shtatë pikë larg vendit të katërt nga fundi që mbahet nga Blackburn Roversi, me vetëm dy ndeshje të mbetura.

Kjo do të thotë se ata do të luajnë në nivelin e tretë për herë të parë që nga sezoni 2008/09.

Triumfi i jashtëzakonshëm i Leicesterit në sezonin 2015/16, kur klubi tronditi futbollin anglez duke fituar titullin nën drejtimin e Claudio Ranierit, u pasua nga disa vite suksesi.

Ata arritën deri në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve në sezonin 2016/17 dhe përfunduan dy herë radhazi në vendin e pestë në kampionat në sezonet 2019/20 dhe 2020/21.

Megjithatë, klubi ra nga Premierliga në sezonin 202223 dhe, pas një rikthimi të menjëhershëm, ra sërish sezonin e kaluar.

Një fillim i mirë i këtij sezoni i kishte pozicionuar në zonën e “play-offit” pas 10 javësh dhe në gjysmën e sipërme të tabelës në mes të dhjetorit, por një seri shumë e dobët pas fillimit të vitit, e kombinuar me zbritjen e pikëve për shkelje të rregullave financiare, bëri që ata të bien në League One.

Kështu, Leicesteri bëhet klubi i dytë ish-kampion i Premierligës që luan në këtë nivel, pas Blackburn Roversit në sezonin 2017/18.

Në ndeshjen vendimtare, Liam Milleri i dha epërsinë e hershme Hullit pas një gabimi të portierit Asmir Begović.

Më pas, Jordan James dhe Luke Thomas përmbysën rezultatin në fillim të pjesës së dytë me dy gola brenda tre minutash.

Por goli i Oli McBurniet, 27 minuta para fundit, i mohoi Leicesterit fitoren që i duhej./GazetaExpress/

The post Dhjetë vite pasi e fitoi Premierligën, Leicesteri bie në Ligën e Tretë angleze appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip