Wednesday, 22 April 2026
Lajme

Interi “i çmendur” rikthehet nga vdekja dhe kalon në finalen e Kupës së Italisë

Inter ka siguruar biletën për në finalen e Kupës së Italisë pas një përmbysjeje dramatike ndaj Comos, duke fituar 3-2 në ndeshjen e kthimit.

Sfida e parë kishte përfunduar 0-0, ndërsa në kthim zikaltërit u rikthyen nga disavantazhi 0-2 dhe e mbyllën ndeshjen me një “furi” në minutat e fundit. Tani Inter pret fituesin e gjysmëfinales tjetër, Lazio – Atalanta.

Como e nisi më mirë takimin dhe e tronditi Interin që në pjesën e parë. Pas rasteve të hershme, goli i avantazhit erdhi në minutën e 32-të, kur Martin Baturina shënoi me një goditje të saktë që u ndal fillimisht në shtyllë dhe më pas përfundoi në rrjetë për 0-1.

Inter u përpoq të reagojë, por nuk gjeti golin para pushimit.

Goditja e dytë për Interin erdhi menjëherë pas rifillimit. Në minutën e 48-të, Nico Paz dha një pasim të shkëlqyer në thellësi, ndërsa Lucas Da Cunha u tregua i shpejtë dhe shënoi nga afër në këndin e poshtëm për 0-2, duke e çuar Comon shumë pranë finales.

Në këtë moment, Interi ndryshoi fytyrë. Trajneri reagoi me zëvendësime dhe futja e Petar Sucic doli vendimtare. Në minutën e 69-të, Sucic asistoi për Hakan Calhanoglun, i cili goditi nga jashtë zone; topi u devijua dhe përfundoi në rrjetë për 1-2, duke rikthyer shpresën.

Como u përpoq të mbajë avantazhin me ndryshime, por presioni i Interit u rrit. Në minutën e 86-të, Sucic nxori një harkim të bukur në zonë dhe Calhanoglu barazoi me kokë, me topin që preku shtyllën e majtë para se të futej në portë: 2-2.

Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt vazhdimeve, por Interi goditi për herë të tretë. Në minutën e 89-të, Calhanoglu e nxori Sucic “ballë për ballë” në zonë, dhe kroati finalizoi me qetësi në këndin e poshtëm të djathtë për 3-2, duke kompletuar një përmbysje të jashtëzakonshme dhe duke e dërguar Interin në finalen e Kupës.

Me këtë sukses, zikaltërit presin tani të mësojnë kundërshtarin e finales nga përballja tjetër gjysmëfinale mes Lazios dhe Atalantës (2-2). /Telegrafi/

InfoShqip