Ish-presidenti, Radev i kryesonte prej javësh sondazhet. Sipas llogaritjeve paraprake, Rumen Radev dhe partia e tij e “Bullgarisë Progresive” janë fituesi të zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në Bullgari me rreth 45% të votave. Tetë zgjedhje të tilla u zhvilluan në Bullgari gjatë pesë viteve të fundit. Sipas Radevit, nuk duhet të ketë së shpejti një tjetër: “Do të bëjmë gjithçka për të parandaluar që të na duhet të mbajmë sërish zgjedhje. Kjo do të thoshte të kalonim nga një krizë në tjetrën, dhe ne duhet të punojmë shumë seriozisht për t’i kapërcyer këto kriza.”
Ka kaluar shumë kohë që Bullgaria nuk ka pasur ketë një fitues kaq të qartë pas zgjedhjeve parlamentare. Radev është 62 vjeç dhe ish‑shef i Forcave Ajrore. Ai është politikani më i preferuar në vend, edhe pse kritikët prej kohësh e akuzojnë për afërsi me Rusinë.
Kritikët shohin afërsi me Putinin
Radev ka qenë skeptik në të kaluarën ndaj sanksioneve kundër Rusisë dhe kundër dërgesave të armëve për Ukrainën. Në të njëjtën kohë, partia e tij, Bullgaria Progresive, e ka përfshirë në programin zgjedhor një angazhim të qartë për Bashkimin Evropian dhe NATO‑n. Në finalen e fushatës zgjedhore të Radevit, në një videoklip u shfaqën pamje nga takime të përbashkëta mes tij dhe Vladimir Putinit.
Politologu dhe gazetari Jawor Siderov analizon situatën politike në Bullgari për televizionin gjermanm, ARD. Ai është i mendimit se Radev “është një populist. Ka gjasa që ai ta drejtojë vendin në një drejtim të ngjashëm me Viktor Orbánin – më euroskeptik, më konservator në vlera – pa qenë realisht aq radikal sa Orbáni. Radev nuk është Orbán dhe as nuk e ka instinktin e tij.”
Radev premtoi luftë kundër korrupsionit
Për të pasur më në fund sërish një qeveri “normale”, Radev ka njoftuar se do të veprojë qartazi kundër korrupsionit në vend. Gishti zakonisht drejtohet ndaj partisë konservatore GERB me kryeministrin afatgjatë Bojko Borisov dhe ndaj DPS‑së, partisë së oligarkut me ndikim Deljan Peevski. Të dyja kanë pësuar humbje të ndjeshme në zgjedhje dhe, sipas rezultateve, në parlamentin e ri nuk arrijnë as 80 mandate.