Wednesday, 22 April 2026
Lajme

Gjermania dhe Italia bllokojnë propozimin spanjoll për të pezulluar marrëveshjen me Izraelin

Spanja nuk arriti të sigurojë mbështetjen në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së për propozimin e saj për pezullimin e marrëveshjes së asociimit me Izraelin.

Nismës së ministrit të jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares iu kundërshtuan vende kyçe si Gjermania dhe Italia, të cilat vlerësuan se nuk janë përmbushur kushtet për një hap të tillë.

Albares e kishte bazuar propozimin në shkeljet e të drejtave të njeriut dhe përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme. Sipas tij, situata aktuale kërkon reagim më të fortë nga Bashkimi Evropian, ndërsa disa shtete e konsideruan këtë qasje të nxituar.

Berlini dhe Roma argumentuan se nuk janë plotësuar kushtet për aktivizimin e nenit të dytë të marrëveshjes BE–Izrael, i cili rregullon marrëdhëniet mes palëve. Spanja megjithatë u mbështet në këtë klauzolë, duke e lidhur kërkesën me rritjen e tensioneve në rajon.

Disa vende anëtare, si Belgjika, shprehën gatishmëri për të shqyrtuar masa më të buta, përfshirë ngrirjen e pjesës tregtare të marrëdhënieve bilaterale. Megjithatë, nuk u arrit një qëndrim i përbashkët brenda BE-së, shkruajnë mediat.

Nisma e Spanjës ka rikthyer tensionet diplomatike me Izraelin. Ambasadorja izraelite në Spanjë, Dana Erlich, deklaroi se qeveria e kryeministrit, Pedro Sanchez po mban një qëndrim të njëanshëm dhe të ekzagjeruar, duke u larguar nga partnerët evropianë.

Edhe Italia dhe Gjermania shprehën rezerva ndaj propozimit. Ministri italian, Antonio Tajani tha se bllokimi i marrëveshjes tregtare nuk është mjet i dobishëm, ndërsa Berlini e cilësoi një masë të tillë si të papërshtatshme në këtë moment.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, konfirmoi se propozimi spanjoll nuk ka mbështetje të mjaftueshme për t’u miratuar. Ajo theksoi se, për shkak të mungesës së unanimitetit, pezullimi i marrëveshjes nuk është i mundur për momentin.

Megjithatë, mbeten të hapura opsione të tjera si masat tregtare, të cilat mund të miratohen me shumicë të kualifikuar. Debati pritet të vazhdojë në institucionet evropiane, ndërsa Spanja këmbëngul se situata në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Liban është përkeqësuar dhe kërkon reagim më të fortë nga BE-ja. /Telegrafi/

InfoShqip