Wednesday, 22 April 2026
Lajme

Real Madridi rikthehet tek fitoret, mposht Alavesin në ‘Bernabeu’

Real Madrid arriti një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Deportivo Alaves në kuadër të javës së 34-të në La Liga, duke qëndruar në garë për titullin kampion.

“Los Blancos” e nisën ndeshjen me dominim dhe arritën të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 30-të. Arda Guler shërbeu për Kylian Mbappe, i cili goditi nga jashtë zone dhe, pas një devijimi, topi përfundoi në rrjetë për 1-0.

Skuadra madrilene krijoi edhe raste të tjera në pjesën e parë, me Mbappé pranë golit dhe Eder Militao që goditi traversën nga një distancë shumë e afërt.

Në anën tjetër, Alaves ishte shumë pranë barazimit në fundin e pjesës së parë, por Andriy Lunin u shfaq vendimtar me pritje spektakolare ndaj Toni Martinez, ndërsa sulmuesi goditi edhe shtyllën në të njëjtin aksion.

Në pjesën e dytë, Real Madridi dyfishoi epërsinë në minutën e 50-të. Federico Valverde asistoi për Vinicius Junior, i cili realizoi një gol të bukur nga distanca duke e dërguar topin në këndin e poshtëm për 2-0.

Megjithatë, edhe Alaves pati momentet e tij. Antonio Sivera bëri disa pritje të rëndësishme, ndërsa në minutat e fundit Victor Parada goditi shtyllën me kokë pas një krosimi të saktë, duke humbur një mundësi të artë për të ngushtuar diferencën.

Deri në fund, mysafirët ia dolën të realizojnë me anë të Toni Martinez për të ngushtuar shifrat në 2-1, por nuk arritën ta evitojnë humbjen.

Pas kësaj fitoreje, Real Madridi ngjitet në kuotën e 73 pikëve, duke mbetur gjashtë pikë prapa liderit Barcelona, që ka 79 pikë, por edhe një ndeshje më pak./Telegrafi/

InfoShqip