Wednesday, 22 April 2026
Lajme

Si hakerat përdorin Postën dhe e-Albania për të vjedhur paratë e shqiptarëve, policia paralajmëron qytetarët

Departamenti i sigurisë kibernetike ka paralajmëruar qytetarët që të tregohen të kujdesshëm ndaj mashtrimeve online, të cilat po përsëriten gjithnjë e më shpesh.

Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj, bën me dije se janë evidentuar të tjera raste ku qytetarëve u dërgohen mesazhe që paraqiten si njoftime zyrtare nga Posta Shqiptare apo nga portali e-Albania. Në këto mesazhe pretendohet se marrësi duhet të tërheqë një pako, ose njoftohet për gjoba të automjeteve.

Policia thekson se këto janë tentativa mashtrimi me qëllim përfitimin e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve. Zakonisht, mesazhet përmbajnë një link ku përdoruesit ftohen të klikojnë.

Në momentin që qytetarët klikojnë këto lidhje, ata rrezikojnë t’u japin akses personave të paautorizuar në të dhënat e tyre personale dhe financiare. Si pasojë, paratë mund të transferohen në llogari anonime.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos klikojnë në linke të dyshimta dhe të verifikojnë çdo njoftim përmes kanaleve zyrtare.

/vizionplus.tv

InfoShqip