
Kryeministri Albin Kurti ka folur më ashpër kundrejt partive opozitare pas dështimeve të negociatave për të gjetur një marrëveshje mbi Presidentin e ri.
Ai tha se nga ana e tij u tregua “bujar” në oferta, por se ato s’iu pranuan.
“Unë kam qenë shumë bujar me partitë opozitare. Ne vetëm 30 orë para skadimit e kemi propozuar emrin e Glauk Konjufcës dhe vetëm tri orë para skadimit të atij afati e kemi propozuar kandidatin e dytë, deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”, tha Kurti për lëvizjen e tij natën e 4 marsit.
Më pas, Kurti tha se partitë opozitare s’e kanë problemin me të, por me popullin që e votoi partinë e tij në atë përqindje. Ai i udhëzoi edhe që ta analizojnë se si ranë në atë numër deputetësh në Kuvendin e Kosovës, duke qenë “dy partitë tradicionale” të vendit.
“Ne duhet të qeverisim, rezultatin e zgjedhjeve nuk e ndryshojmë dot. Besoni që thellësisht po del që s’kanë problem me mua, por me popullin. Populli e ka votuar Vetëvendosjen 51.1%, këta kanë problem me popullin. Ama do të duhet që të mendojnë e reflektojnë si u bë që dy partitë më të vjetra, tradicionale të Kosovës, njëra ra në 22 deputetë dhe tjetra në 15. Në vend se ta analizojnë situatën aktuale dhe vullnetin e popullit ta lexojnë drejt e ta pranojnë, jo bën ky e s’bën ai. Mbani mend vitin e kaluar, 50 seanca thanë nuk bën Albulena dhe tash Albulena është kryetare e Kuvendit, bile e kanë edhe u.d presidente”.
Kurti tha se LDK’së i kishte ofruar postin e zëvendëskryeministrit për kreun e LDK’së, Lumir Abdixhiku, si dhe katër ministri, ndërsa tha se tjetra ishte “rrokadë në Kryesi të Kuvendit.
Ndërkaq, LDK kishte thënë se s’janë pajtuar që Presidenti të ishte nga radhët e Vetëvendosjes dhe se në negociata s’kanë hyrë për poste qeveritare.
“Përkundër përpjekjes sonë për konsensus, përkundër gatishmërisë sonë për një kandidat konsensual, me keqardhje themi se insistimi për një President nga radhët e VV-së e pamundëson mbështetjen tonë”, kishte thënë Abdixhiku pas takimit me Kurtin. /Express/
The post Kurti thotë se u tregua “shumë bujar” me opozitën: Ata s’kanë probleme me mua, por me popullin appeared first on Gazeta Express.
