Institucionet e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut kanë zhvilluar një tryezë të përbashkët dyditore, me fokus forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar në menaxhimin e ujërave në pellgjet lumore Lepenc dhe Vardar.
Takimi është organizuar me mbështetjen e Programit IWRM-K dhe Programit për Menaxhimin, Përdorimin dhe Mbrojtjen e Ujërave Nëntokësore në Maqedoninë e Veriut, duke bashkuar përfaqësues të ministrive përkatëse, autoriteteve të pellgjeve lumore, shërbimeve hidrometeorologjike dhe ekspertëve teknikë nga të dy vendet.
Gjatë tryezës, diskutimet janë përqendruar në analizimin e përvojave nga bashkëpunimi ekzistues ndërkufitar, përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave dhe informacionit, si dhe në identifikimin e prioriteteve konkrete për bashkëpunim në të ardhmen.
Sipas organizatorëve, ky takim përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të besimit dhe krijimit të një kornize më praktike bashkëpunimi në nivel lokal për pellgjet lumore Lepenc dhe Vardar, me theks në mësimin e përbashkët dhe shkëmbimin teknik.
Programi IWRM-K ka theksuar se mbetet i përkushtuar për të mbështetur procese që kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar, përmirësimin e qeverisjes së ujërave dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve të përbashkëta ujore. /Telegrafi/
