Skuadra e çmendur nuk ka ndërmend të ndryshojë.
Futbolli italian ka marrë shumë kritika këto kohë, dhe jo vetëm për eliminimet e kombëtares nga Botërori e të ekipeve të klubeve nga Europa, por sidomos për lojën, dhe ja ku erdhi një ndeshje që ia vlejti.
Inter-Komo ishte një spektakël, edhe pse përballë ishin dy skaje, një nga tre zonjat e mëdha të këtij vendi, dhe një “hirushe” e lindur së fundmi.
Zikaltërit ia dolën 3-2 në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, që patën fatin ta luanin në fushën e tyre, veçse ishin të eliminuar deri katër minuta para fundit.
Komo shkëlqeu për gati 70 minuta duke dominuar, dhe arriti epërsinë 2-0 me gola nga Baturina e Da Kunja.
Portieri vendas, Martinez, ndaloi gola të tjerë dhe vetëm tepër vonë Interi reagoi.
Hakan Çalhanoglu shënoi dy gola në 69’ e 86’, ndërsa kroati I ri, Sushiç konkretizoi përmbysjen 3-2 në minutën e parafundit.
“Një Inter për çmenduri, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, -Kupa e Italisë, përmbys Komon dhe shkon në finale! Kivu: Tani mund të ëndërrojmë dy trofetë!”
“Inter I pafund, – është titulli I “Il Korriere delo Sportit”, – Komo përmbyset, Kivu në finale ndaj Atalantës ose Lacios! Një spektakël I futbollit!
Përballja në “San Siro” ishte vërtet e shkëlqyer, me 35 gjuajtje gjithsej drejt portave, dhe 13 në kuadrat.
Thuajse gjithçka u nda barabar, ndonëse zikaltërit e mbajtën topin më shumë, 62 për qind.
Kështu përfundoi ky derbi I vogël I Lombardisë, dhe tani interistët presin rivalin e finales së 13 majit, që mund të jetë Atalanta ose Lacio, pra edhe kapiteni I Shqipërisë, Berat Gjimshiti.
