
Për të favorizuar kompanitë e Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, ish drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj vuri në dispozicon institucionin që drejtonte. Në këmbim thotë SPAK, në dosjen e siguruar nga Vizion Plus ajo përfitoi pasuri të luajtshme e të paluajtshme.
“Lidhur me të ardhurat e paligjshme të përfituara në formë korruptive nga e hetuara Mirlinda Karçanaj, ekzistojnë dyshime të bazuara në prova, të cilat të analizuara në harmoni me njëra tjetrën, bëjnë të besohet fakti se ajo vlerën prej 200 mijë euro në mënyrë indirekte nga shtetasja Arjola Koromani, (nëpërmjet shtetasit Daniel Shima) në disa raste ka marrë “kuti vere” të mbushura me kartmonedha euro të prerjeve 100, 200 dhe 500, si dhe ka përfituar nga persona të tjetra lidhur me shtetasin Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, ku përmendim blerjen e tri pasurive të paluajtshme, dy në Tiranë, dy në Qerret”, thuhet në dosjen e SPAK.
Një e dhënë interesante është një faturë e gjetur në një nga vilat që SPAK i sekuestroi Agasit për vlerën marramendëse të pijeve alkoolike që ai kishte në pronësi.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e “Equos Resort” u konstatuan disa arka druri brenda të cilave ndodheshin disa shishe vere dhe shampanjë te cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Arsyetohet se vlera e ketyre pijeve alkoolike arrite deri në afërsisht 950 mijë euro”, theksohet në dosjen e SPAK.
Shoqëria e Ergys Agasit, thotë SPAK, del hapur në pamundësi financiare për të justifikuar origjinën e parave për të cilat zotohej të priste fatura fiskale.
“Ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se veprimet e shoqërisë “EA Solution” sh.p.k përbëjnë një skemë tipike të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, ku subjekti juridik është përdorur si një mjet për transferimin e ryshfetit në formë të kamufluar tregtare. Ndërkohë që “EA Solution” ka prerë fatura në vlera jashtëzakonisht të larta drejt operatorëve ekonomikë (si “Fastech”, “First”, AESS, Soft & Solution etj.), hetimi ka dokumentuar se kjo shoqëri nuk zotëron asnjë kapacitet teknologjik apo burim njerëzor për të përmbushur objekte të tilla kontrate”, thuhet në dosjen e SPAK.
Të martën në mbrëmje SPAK njoftoi se ka sekuestruar 40 milionë euro prona dhe llogari bankare të dosjes AKSHI që sipas këtij institucioni i përkasin Ergys Agasit, ish-drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karçanajt dhe Ermal Beqirit.
Sipas organit të akuzës prej këtyre pasurive të paluajtshme 27 i përkasin Agasit, 5 Beqirit dhe 4 ish drejtoreshës së AKSHI-t, Karçanaj, por SPAK numëron në total 52 pasuri bashkë me ato bankare të cilave u ka ndaluar çdo funksion.
