
Ministria e Brendshme dhe ajo e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë themeluar sot Gardën për Mbrojtjen e Natyrës në Ditën Ndërkombëtare të Tokës.
Memorandumi u nënshkrua nga dy ministrat, Xhelal Sveçla dhe Fitore Pacolli, ndërsa mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
“Në kuadër të këtij funksioni, aktivistë mjedisorë, bjeshkatarë, peshkatarë, fotografë të natyrës dhe vullnetarë do të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Kosovës në shërbim të mbrojtjes së mjedisit. Qëllimi i këtij memorandumi është parandalimi dhe luftimi më efikas i krimeve mjedisore, si dhe forcimi i mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e natyrës”, tha Ministria e Brendshme në njoftim.
Ministria tha se ndërgjegjësimi qytetar dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me institucionet e sigurisë do të luajnë rol kyç në trajtimin më të shpejtë dhe më efikas të rasteve të krimeve mjedisore, duke ndërtuar “një partneritet të qëndrueshëm në funksion të ruajtjes së ambientit”.
“Themelimi i Gardës për Mbrojtjen e Natyrës shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së përgjegjësisë kolektive për mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit tonë. Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për të garantuar mbrojtjen e natyrës si një vlerë e përbashkët dhe një detyrim ndaj brezave të ardhshëm”.
The post Dy ministri themelojnë Gardën për Mbrojtjen e Natyrës, zotohen për luftim të krimeve mjedisore appeared first on Gazeta Express.
