
Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur këtë të mërkurë, ku po diskutohet dhe pritet miratimi për dhënien e bonusit të qirasë për familjet të cilat u prekën nga zjarri që përfshiu pallatin në zonën e quajtur Farmacia 10 pranë QSUT-së.
Sipas projekt-vendimit, që u paraqit për miratim përpara Këshillit Bashkiak parashikon një dëmshpërblim prej 40 mijë lekësh në muaj për çdo familje.
Nëse ky projekt miratohet, ai do të mbetet në fuqi deri në momentin që familjet e prekura të hyjnë në banesat e tyre.
Efektet financiare do të përballohen nga të ardhurat e Bashkisë Tiranë në programin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Mbrojtjes Civile. Për të përfituar bonusin e qirasë familjet duhet të vërtetojnë që nuk kanë një banesë tjetër në pronësi brenda Bashkisë së Tiranës.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 14 prill, ku si pasojë e zjarrit që përfshiu pallatin u shkrumbuan 30 apartamente. Një ditë më pas kryeministri Edi Rama me anë të një reagimi në rrjetet sociale tha se apartamentet do të rindërtohen 100% nga vetë kompania. Kompania “Arlis” nëpërmjet një reagimi zyrtar konfirmoi rindërtimin e apartamenteve të djegura.
Ndërkohë ekspertiza ende nuk ka dalë me një konkluzion të qartë se cilat janë autorët, që shkaktuan zjarrin te pallati, në zonën e “Farmacia 10”.
