Deputetja e Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj gjuhës së përdorur nga deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Fatos Geci, ndaj nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku.
Reagimi i saj vjen pasi një ditë më parë Geci ka përdorur gjuhë fyese dhe seksiste ndaj Çitakut, duke shkaktuar reagime në opinionin publik.
Musliu ka dënuar këtë gjuhë, duke theksuar se fyerjet dhe kërcënimet nuk duhet të bëhen normë në shoqëri.
“Sa herë më kanë ofenduar, më kanë paragjykuar, bullizuar e më kanë kërcënuar, asnjëherë nuk jam viktimizuar dhe nuk kam kërkuar mbështetje apo mbrojtje nga askush. Ama kam reaguar fuqishëm dhe me zë të lartë kundër tendencës që sharjet, fyerjet e kërcënimet të bëhen normë”, ka shkruar Musliu.
Ajo shtoi se reagimi i saj nuk vjen për shkak se Çitaku ka nevojë për mbrojtje, por për të kundërshtuar çdo formë ofendimi dhe linçimi ndaj grave.
“E dënoj ashpër gjuhën që u përdor ndaj nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku. Jo pse Vlora ndjehet e ofenduar, por për t’i treguar secilit që merr guximin të ofendojë, linçojë apo kërcënojë një grua, se rruga jonë është e trasuar nga gra që kanë sfiduar mentalitete dhe nuk janë zmbrapsur para padrejtësisë”, u shpreh ajo.
Musliu theksoi se askush nuk mund t’i heshtë gratë përmes fyerjeve apo kërcënimeve.
“Ne nuk tërhiqemi, nuk frikësohemi dhe nuk ndalemi. Zëri ynë do të jetë gjithmonë më i fortë se çdo tentativë për ta shuar atë”, përfundoi deputetja e PDK-së.
