Wednesday, 22 April 2026
Lajme

Kurti paralajmëron disa zgjedhje/ “E pamundur të marrim 80 deputetë, nuk ka zgjidhje pa marrëveshje”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar jo një, por dy palë zgjedhje të reja, duke thënë se rezultati prej 80 deputetësh është i pamundur dhe se nëse nuk ka marrëveshje kjo situatë politike do të jetë një spirale e pafundme.

Ai u ndal edhe tek kostoja ekonomike e zgjedhjeve.

“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja së paku 10 milionë euro ato kushtojnë, nëse shkojmë në zgjedhje të reja për shkak se nuk do të funksionojë Kuvendi do ti humbim dhjetëra milionë euro si shtet, dhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhej të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja meqenëse unë nuk e di si mund t’i kemi 80 deputet është e domosdoshme që të merremi vesh kam qenë shumë bujar me opozitën…..”

Ai u ndal edhe tek ofertat që i bëri opozitës duke e drejtuar gishtin e përgjegjësisë ndaj tyre.

“Pas aktgjykimit u takova me LDK, PDK-ja refuzoi që të takohemi. LDK-së ia kam bërë dy oferta, njërën për bashkëqeverisje, tjetrën për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit. Pastaj, PDK-së për rrokadë në kryesinë e Kuvendit, po thjesht nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje dhe ky është një dëm i madh për shtetin e Kosovës.”

Më 28 prill përfundon afati i dhënë nga Gjykat Kushtetuese për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, por gjasat për një marrëveshje janë thuajse 0.

Ndryshe vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve nga përfundimi i afatit dhe nëse ato mbahen do të jenë të tretat brenda 2 vitesh.

InfoShqip