Wednesday, 22 April 2026
Lajme

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, Rama: Hetimet u ngritën mbi një raport fantazish, ja çfarë bisedova me Donald Trump

Kryeministri Edi Rama ndodhet këtë të mërkurë në Athinë në Forumin Ekonomik të Delfit.

Gjatë një interviste me Alexis Papahelas, Kryeredaktor i gazetës Kathimerini, Rama u ndal tek pjesëmarrja e tij në ditën e themelimit të Bordit të Paqes.

Rama ndau edhe bisedën që pati me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump në lidhje me gjykimin që po i bëhet ish krerëve të UÇK-së.

“Shpresoj që Trump të mund të ndërhyjë. Nuk më ka informuar ende”, u shpreh ai ndër të tjera.

Rama: Pata privilegjin të isha me presidentin Trump në ditën e themelimit të Bordit të Paqes dhe i thashë diçka që e kam shumë për zemër, që ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare dhe konkretisht me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila është krijuar duke u mbështetur në një raport fantazish, i sponsorizuar nga rusët, nga delegacioni i Vladimir Putinit në Këshillin e Evropës, që mbështeste një mocion për të hetuar të ashtuquajturat krimet e UÇK-së, dhe specifikisht trafikimin e organeve njerëzore.

Gjykata u ngrit për ta kthyer këtë raport fantazish në një proces kundër udhëheqësve dhe morën nga zyra një president që ishte në detyrë dhe e sollën në Hagë, duke e burgosur përpara një akuze zyrtare, si edhe kryetarin e parlamentit. Më pas, i gjithë procesi u kthye në diçka krejt tjetër, pasi nuk kishte ndodhur asnjë trafikim i organeve njerëzore. I thashë presidentit Trump se kjo është diçka që ai duhet ta dijë dhe shpresoj që ai të mund të ndërhyjë. Nuk më ka informuar ende.

/vizionplus.tv

InfoShqip