Wednesday, 22 April 2026
Lajme

Si do funksionojë ndalimi i duhanit për brezat e rinj?

Një ligj i ri, që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, parashikon një ndalim të përhershëm të blerjes së cigareve për personat e lindur pas vitit 2008, duke krijuar kështu një “brez pa duhan”.

Ky sistem i ri, i quajtur “ndalim me moshë të lëvizshme”, nënkupton se kushdo i lindur më 1 janar 2009 ose më vonë nuk do të mund të blejë kurrë produkte duhani, edhe kur të arrijë moshën madhore. Ndryshe nga një ndalim total i duhanit, kjo politikë synon ta zhdukë gradualisht përdorimin e tij duke kufizuar aksesin për brezat e rinj.

Në praktikë, rregulli do të bazohet në modelin ekzistues të verifikimit të moshës, por me kontrolle më të rrepta. Punonjësit e dyqaneve do të duhet të kontrollojnë dokumentet e identifikimit për çdo klient që mund të jetë pjesë e grupit të ndaluar. Kjo mund të bëjë që edhe persona në të 30-at apo 40-at të kërkohen për dokumente, pasi kriteri bazohet në vitin e lindjes dhe jo në moshë.

Ligji krijon një ndarje të qartë: personat e lindur para vitit 2009 do të mund të blejnë cigare, ndërsa ata të lindur pas kësaj date jo – edhe nëse diferenca është vetëm një ditë.

Ndalesa përfshin të gjitha produktet e duhanit, përfshirë ato për pipë apo shisha, si dhe shitjet në zona “duty-free”. Edhe turistët që bien në këtë kategori nuk do të mund të blejnë cigare në territorin britanik.

Ndërkohë, blerja e cigareve për persona të tjerë (e njohur si “proxy purchasing”) mbetet e ndaluar dhe pritet të kontrollohet më rreptësisht, me gjoba për shkelësit dhe penalitete për bizneset që nuk respektojnë ligjin.

Sa i përket cigareve elektronike, ato nuk ndalohen plotësisht, por do të përballen me rregulla më të ashpra, sidomos për reklamat, shijet dhe paketimin, me synim uljen e përdorimit te të rinjtë.

Autoritetet theksojnë se ligji nuk e bën të paligjshëm pirjen e duhanit për ata që tashmë e konsumojnë, por synon që me kalimin e kohës ta zhdukë atë nga shoqëria. Objektivi është që në të ardhmen, askush të mos ketë më akses ligjor për të blerë produkte duhani.

Megjithatë, kritikat nuk kanë munguar. Disa ekspertë paralajmërojnë se masa mund të nxisë tregun e zi dhe të krijojë vështirësi në zbatim, ndërsa të tjerë kërkojnë më shumë mbështetje për milionat e duhanpirësve ekzistues.

Pavarësisht debateve, autoritetet e konsiderojnë këtë një hap historik për shëndetin publik, me synimin për të reduktuar ndjeshëm sëmundjet dhe kostot që lidhen me duhanin në të ardhmen. /GazetaExpress/

The post Si do funksionojë ndalimi i duhanit për brezat e rinj? appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip