
Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, është bërë sërish në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare pas raportimeve se mund të jetë duke planifikuar një ceremoni martesore në Itali. Deri më tani, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga artistja apo përfaqësuesit e saj.
Sipas disa mediave italiane, hoteli historik “Villa Igiea” në Palermo dyshohet se është rezervuar për një event privat në fillim të shtatorit, konkretisht mes datave 5 dhe 7. Këto raportime kanë nxitur spekulime se mund të bëhet fjalë për një dasmë të mundshme.
Dyshimet janë shtuar edhe pas shfaqjes së këngëtares në shoqërinë e organizatores së njohur të eventeve, Alessandra Grillo, e cila ka realizuar disa nga ceremonitë më prestigjioze në Itali. Megjithatë, as ky detaj nuk është konfirmuar si i lidhur me ndonjë plan konkret martese.
Palermo, ndërkohë, është kthyer në një nga temat më të përfolura në rrjetet sociale, ku fansat dhe mediat lokale kanë nxitur diskutime për një event të mundshëm, edhe pse mungojnë prova të drejtpërdrejta.
Lidhja e Dua Lipës me qytetin sicilian daton më herët. Në verën e vitit 2025, ajo vizitoi Palermon së bashku me partnerin e saj, aktorin britanik Callum Turner. Çifti u pa duke vizituar disa prej atraksioneve kryesore turistike, përfshirë Kapelën Palatine dhe Katedralen e Palermos, si dhe duke shijuar jetën dhe kuzhinën lokale.
Më pas, artistja ndau në rrjetet sociale momente nga udhëtimi, duke e përshkruar qytetin si “Palermo in my heart”, ndërsa më vonë e përmendi eksperiencën edhe gjatë një koncerti, duke theksuar përshtypjet e saj pozitive për kulturën dhe gastronominë siciliane.
Dua Lipa dhe Callum Turner janë në një lidhje që nga viti 2024 dhe e bënë publike marrëdhënien e tyre në vitin 2025. Turner, ndërkohë, përflitet edhe si një nga emrat e mundshëm për rolin e ardhshëm të James Bond, çka ka rritur më tej interesin mediatik rreth çiftit. /GazetaExpress/
The post Spekulime për martesë në Itali: Çfarë dihet për planet e Dua Lipës appeared first on Gazeta Express.

