Ligjvënësit në Kosovë e kanë miratuar përfundimisht një Projektligj për çmimet tavan të enjten, me gjithë kundërshtimet nga opozita, e cila e akuzoi Qeverinë se përmes tij synon ndërhyrje në tregun e lirë.
Projektligji – i njohur zyrtarisht si Projektligji për masat e përkohshme të produkteve të shportës në raste të veçanta të destabilizimit në treg – u miratua me 63 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Për t’u bërë ligj ai duhet të nënshkruhet nga presidenti i vendit, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.
Qeveria i ka hedhur poshtë kritikat e opozitës, duke argumentuar se ligji synon të vendosë masa të përkohshme dhe proporcionale për produktet bazë në raste të jashtëzakonshme të çrregullimit të tregut, për t’i mbrojtur qytetarët nga rritja e paarsyeshme dhe e menjëhershme e çmimeve të produkteve bazë.
Në kuvend ka kaluar edhe projekligji për sigurimet shëndetësore dhe ai për shtetësinë.
