E enjte, 23 Prill 2026
Lajme

“The Telegraph”: Kriza brenda qeverisë britanike, Starmer nën presion për çështjen Peter Mandelson

Kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me pakënaqësi në rritje brenda qeverisë së tij, për shkak të mënyrës se si ka trajtuar çështjen që lidhet me ish-ambasadorin në SHBA, Peter Mandelson.

Sipas raportimeve të “The Telegraph”, tensionet brenda kabinetit janë rritur ndjeshëm, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e tij politike.

Media britanike raporton se disa anëtarë të kabinetit dhe aleatë të Starmer kanë shprehur pakënaqësi për shkarkimin e nëpunësit të lartë civil Ollie Robbins, një vendim që lidhet me çështjen e lejes së sigurisë së Mandelsonit.

Burime nga qeveria kanë bërë të ditur se marrëdhëniet brenda administratës janë dëmtuar dhe se funksionimi i përditshëm i qeverisë është bërë më i vështirë.

Ndërkohë, disa ministra e akuzojnë Starmer për thellimin e përçarjeve, ndërsa një pjesë e deputetëve laburistë kanë filluar të vënë në pikëpyetje hapur mbijetesën e tij në krye të partisë, sidomos përpara zgjedhjeve lokale.

Nga ana e tij, Starmer ka hedhur poshtë akuzat dhe ka mbrojtur qëndrimin e tij. Ai deklaroi se kundërshtarët politikë po bëjnë “çdo akuzë të mundshme” në lidhje me këtë çështje, duke theksuar se pretendimet ndaj tij kanë rezultuar të pasakta.

“Javën e kaluar thanë se ishte e pamundur që të mos isha informuar për kontrollin e sigurisë. Doli se e kishin gabim. Pastaj më akuzuan për pandershmëri edhe kjo rezultoi e pavërtetë. Tani po bëjnë çdo akuzë të mundshme sepse janë kundër asaj që kjo qeveri po përpiqet të arrijë”, është shprehur kryeministri britanik.

/abcnews.al/

InfoShqip