E hënë, 20 Prill 2026
Të Fundit
Lajme

SHBA sekuestron anijen iraniane/ Shtohet tensioni në Hormuz, deklarata kontradiktore për negociatat në Islamabad

Tensionet janë rritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pasi forcat amerikane morën nën kontroll një anije mallrash me flamur iranian.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se Marina e Shteteve të Bashkuara, pasi dha një paralajmërim, e ndaloi menjëherë anijen duke hapur një vrimë në dhomën e motorit, pasi ajo u përpoq të kalonte bllokadën amerikane.

Anija në fjalë ishte Touska dhe u kap në Gjirin e Omanit nga luftanije amerikane USS Spruance. Sipas Trump, ekuipazhi refuzoi të dëgjonte, kështu që Marina amerikane i ndaloi menjëherë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Touska është nën sanksione të Thesarit Amerikan për shkak të historisë së tyre të mëparshme të aktivitetit të paligjshëm. Komanda Qendrore Amerikane (Centcom) tha se marinarlt amerikanë u larguan nga anija sulmuese USS Tripoli me helikopter dhe u ulën me litar në Touska të dielën.

Në deklaratë thuhej se anija iraniane nuk ju përgjigj paralajmërimeve të përsëritura për gjashtë orë Bazuar në të dhënat e Sistemit të Identifikimit Automatik, Touska ishte rreth 40 milje detare nga porti i Chabahar në Iranin juglindor para se të ndalonte të kthehej prapa, të lëvizte pak në lindje dhe pastaj të ndalej.

Anija kontejner është pak më shumë se 290 metra e gjatë dhe me një thellësi prej 13 metrash. Duket se ka qenë e ngarkuar plotësisht ose pjesërisht me ngarkesë. Shtabi i lartë ushtarak i Iranit, Khatam al-Anbiya, është zotuar se Irani do t’i përgjigjet ndalimit të anijes dhe e ka quajtur atë një “shkelje të armëpushimit”.

Sipas një deklarate të publikuar në mediat shtetërore, një zëdhënës ka thënë se SHBA, duke “shkelur armëpushimin”, hapi zjarr ndaj një prej anijeve tregtare të Iranit në ujërat e Detit të Omanit, çaktivizoi sistemin e saj të navigimit dhe hipi në të” duke “vendosur” marinarë. Pas kësaj situate, zyrtarët iranianë thanë se Teherani “nuk ka plane për momentin për të marrë pjesë” në raundin tjetër të negociatave me Uashingtonin.

Mediat shtetërore cituan zyrtarë të thonin se “vazhdimi i të ashtuquajturës bllokadë detare, shkelja e armëpushimit dhe retorika kërcënuese amerikane” kanë ngadalësuar përparimin në bisedime. Ndërkohë ekipi i presidentit amerikan Donald Trump është nisur drejt Islamabadit. JD Vance kryeson sërish negociatat, i ndjekur nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Ndërsa deri më tani, asnjë zyrtar iranian i emëruar nuk ka konfirmuar ose mohuar nëse Irani do t’i bashkohet një raundi të ri bisedimesh edhe pse kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Irani nuk do të marrë pjesë.

Raundi i parë i bisedimeve në Pakistan që zgjati më shumë se 20 orë, përfundoi pa marrëveshje ndërsa armëpushimi dy javor mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po i afrohet fundit.

InfoShqip