E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Kryeministri Mickoski premtoi se autostrada ndërmjet Kërçovës dhe Ohrit do të ndërtohet deri në tremujorin e parë të vitit 2027-të

Screenshot 2026 05 01 164434

Në vizitën e realizuar sot në qytetin e Ohrit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut premtoi se autostrada Kërçovë – Ohër do të përfundojë deri në tremujorin e parë të vitit 2027-të, transmeton Portalb.mk.

“Do të doja vetëm të përmend se një pjesë e prioriteteve që kishte komuna dhe një pjesë e projekteve që i propozuan deputetët janë ose të realizuara, ose janë në faza realizimi, ose do të fillojnë të realizohen. Është shumë e rëndësishme kur udhëtoni drejt Ohrit dhe kur mund të shihni progresin e autostradës që është lëshuar në përdorim dhe për të cilën presim, sipas njoftimeve të mëparshme, që të jetë plotësisht funksionale nga Kërçova deri në Ohër, më së voni në tremujorin e parë të vitit 2027-të”, deklaroi Mickoski.

Ai sqaroi që kredia nga banak kineze “Exim” ishte anuluar, ndërsa mjetet janë siguruar nga bankar komerciale vendore.

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, në muajin prill deklaroi se Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore do të marrë fonde me kushtet më të volitshme nga pesë banka vendase për të përfunduar ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër pas ndërprerjes së financimit nga Banka Kineze “Exim”. Ministri tha se u vendos që punimet të vazhdohen për shumë arsye dhe sipas tij autostrada do të përfundojë në fund të vitit. 175 milionë euro mjete shtesë janë siguruar për vazhdimin e punimeve.

Në shkurt të këtij viti, u njoftua se autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundojë me një shumë të re prej 186 milionë eurosh dhe një afat deri në qershor të vitit të ardhshëm. Në mars, drejtori i NPRRSh-së, Koce Trajanovski, nënshkroi  aneks të ri, të tetë, të marrëveshjes midis NPRRSh-së dhe Sinohodron kineze, ndërsa paratë janë të destinuara posaçërisht për stabilizimin e rrëshqitjeve të dheut duke ndërtuar 14 galeri. Këto fonde, sipas njoftimit të sotëm, duket se janë siguruar në formën e kredive nga bankat vendase. Autostrada është e gjatë 57 kilometra, nga të cilat deri më tani janë hapur rreth 40 kilometra.

Autostrada ka qenë në ndërtim e sipër për më shumë se 12 vjet, dhe projekti u nis nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili tani është i dënuar me burg dhe gëzon azil në Hungari. Rasti i financimit të autostradës përmes një kredie nga Banka kineze Eksim ishte një nga rastet e Prokurorisë Speciale Publike, i quajtur “Trajektorja”. Ndër të pandehurit, përveç Gruevskit, ishin ish-zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, si dhe ish-drejtori i NPRRSh-së, Ljupço Georgievski. Akuzat kundër tyre në këtë rast u vjetërsuan pas ndryshimeve në Kodin Penal të miratuara nga qeveria e mëparshme, e udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Akuzat ishin se në këtë rast buxheti i shtetit ishte dëmtuar me 155 milionë euro. Më parë, për vite me radhë, çështja ishte zvarritur nëpër labirintet gjyqësore.

The post Kryeministri Mickoski premtoi se autostrada ndërmjet Kërçovës dhe Ohrit do të ndërtohet deri në tremujorin e parë të vitit 2027-të appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip