E shtunë, 02 Maj 2026
Lajme

Analiza e CNN: SHBA dhe Irani mund ta tolerojnë bllokimin e Hormuzit, por bota do ta paguajë çmimin

Me bisedimet sërish në qorrsokak mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, si Washingtoni ashtu edhe Teherani po sinjalizojnë aftësinë e tyre për të duruar një ngërç të vazhdueshëm. Megjithatë, ky ngërç mund ta detyrojë pjesën tjetër të botës ta paguajë një çmim të rëndë për një luftë që nuk e ka zgjedhur, shkroi CNN të shtunën.

Negociatorët “shumë të mirë” të Iranit – siç i përshkroi Sekretari i Shtetit Marco Rubio – i kanë dërguar presidentit Donald Trump një propozim të ri me të cilin ai u nda i pakënaqur. Mungesa e vullnetit të Teheranit për kompromis të pranueshëm për SHBA-në sugjeron rahatinë e tij me ngërçin që po vazhdon, pavarësisht bllokadës detare amerikane që synon kapitullimin e regjimit iranian.

Teksa konflikti vazhdon pa ndonjë zgjidhje ushtarake apo diplomatike, Irani beson se vizioni i tij për një rend të ri rajonal gradualisht po i afrohet pranueshmërisë. Në një mesazh javën e kaluar, lideri i ri suprem shpalli fitoren ndaj SHBA-së dhe nënkuptoi dominancë mbi Gjirin Persik, para se të deklaronte kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit.

Dhe derisa propozimet lëvizin ngadalë mes kryeqyteteve, Trumpi ka deklaruar se nuk është në nguti dhe se është i përkushtuar në bllokadën e tij detare, edhe pse ekspertët presin se do të marrë javë që plotësisht të arrijë presionin e synuar mbi regjimin iranian.

Ndërsa të dyja palët vazhdojnë “lojën”, rritja e çmimeve në botë i ka vënë në vështirësi konsumatorët, e analistët parashikojnë rritje të mëtejshme inflacionit në botë.

“Do ta kryejmë këtë gjë si duhet. Nuk do të largohemi herët e më pas problemi të lindë pas tri vjetësh tjera”, ka thënë presidenti Trump.

InfoShqip