
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Itali, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën pas një incidenti në Liqenin e Komos.
Bëhet me dije se adoleshenti është hedhur nga një mol në zonën e Mandello del Lario, por nuk ka dalë më në sipërfaqe.
Miqtë e tij kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës. Në vendngjarje kanë mbërritur rojet bregdetare dhe një helikopter i zjarrfikësve, ndërsa zhytësit kanë arritur të nxjerrin trupin e pajetë nga fundi i liqenit.
Autoritetet po hetojnë ende shkaqet e ngjarjes dhe nuk dihet nëse i riu ka pësuar ndonjë problem shëndetësor në ujë.
Sipas kryebashkiakut të zonës, Riccardo Fasoli, dyshohet se 15-vjeçari është futur në një zonë ku hyrja ishte e ndaluar. Ai ka bërë thirrje për më shumë informim mbi rreziqet, duke theksuar se rrjetet sociale dhe televizioni shpesh ndikojnë te të rinjtë për të thyer rregullat në zona të rrezikshme.
