Në ndeshjen e sotme të Bundesligës gjermane mes Eintracht Frankfurt dhe Hamburg SV, tifozët në tribunat e stadiumit nderuan me homazhe të veçanta të riun kosovar Sofian Podvorica, i cili humbi jetën pak ditë më parë në një aksident komunikacioni në Gjermani.
25-vjeçari nga Podujeva u varros të premten në fshatin Dumosh, në një ceremoni ku morën pjesë qindra qytetarë, familjarë dhe miq. Ndër të pranishmit ishin edhe shumë shokë të tij, të cilët kishin udhëtuar në mënyrë të organizuar nga Gjermania për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Atmosfera në stadium ishte prekëse, teksa tifozët e Frankfurtit – qyteti ku Sofiani kishte lindur dhe ishte rritur – shpalosën një banderolë me mbishkrimin: “Kurrë nuk do të të harrojmë Sofian, prehu në paqe”, duke treguar respektin dhe lidhjen e fortë që ai kishte me komunitetin atje.
Sipas atyre që e njohën, Sofiani kujtohet si një djalë i urtë, i shoqërueshëm dhe shumë i dashur për rrethin e tij. Një pjesë e madhe e familjes së tij kishte emigruar prej vitesh në Gjermani, ku gëzon respekt të madh në komunitetin shqiptar dhe atë gjerman, njësoj si në Kosovë.
Ky gjest i tifozëve gjermanë dëshmon edhe një herë solidaritetin dhe humanizmin që tejkalon kufijtë, duke nderuar kujtimin e një të riu që la gjurmë të thella tek të gjithë ata që e njohën./Telegrafi
