Iu deshën pak më shumë se tre vjet.
Anis Mehmeti, lojtari që e rifitoi me shumë vështirësi fanelën e kombëtares shqiptare, e realizoi në moshën 25-vjeçare ëndrrën e parë të madhe të jetës së tij, duke u ngjitur në Premier Ligën angleze.
Kjo, pasi ekipi I tij, Ipsuiç Taun, fitoi 3-0 ndaj Kuins Park Rejnxhërsit në javën e fundit të kategorisë së dytë, Championship.
Deri në janar 2023 ishte në kategorinë e tretë, por tani është në elitë.
Mehmeti luajti vetëm diçka më shumë se 21 minuta, pasi këtë herë e nisi ndeshjen si zëvendësues dhe hyri në fushë në minutën e 71-të.
Ai ndihmoi në golin e tretë, duke këmbëngulur fort ndaj mbrojtjes mike, derisa Kejsi Mekatir e dërgoi topin në rrjetë në 85’.
Me këtë sukses, Ipsuiçi siguroi vendin e dytë pra edhe ngjitjen automatike për në Premier Ligë, pa pasur nevojë për plej ofin.
Skuadra e shqiptarit ka 84 pikë ndaj 83 të Miluollit, dhe vetëm Koventri mbeti I paarritshëm me 95 pikët e tij.
Lojtari ofensiv kuqezi pati kontribut të rëndësishëm gjatë sezonit, ndonëse e ndau këtë me dy skuadra.
Deri në janar ishte pjesë e Bristol Sitit duke shënuar 8 gola e duke shërbyer 6 asistë.
Që nga 24 janari e deri tani në fillim të majit, tek Ipsuiçi, Mehmeti shtoi edhe dy gola e dy asistë, por sidomos mjaft ndikim në lojë, duke qenë në një skuadër mjaft më të fortë.
Në total, në edicion, ai ka 11 gola e 8 asistë në 50 ndeshje, ndërsa temperamentin shqiptar e tregon me 10 kartonë të verdhë edhe pse nuk është mbrojtës.
Ipsuiçi, një klub me moshë 148-vjeçare, u kthye ku I takon, me 3 ngjitje në 4 vjet, dhe Mehmeti shpreson të qendrojë gjatë në Premier Ligë./abcnews.al
