E diel, 03 Maj 2026
Lajme

Tragjedia në Durrës/ Reagon Begaj: I tronditur për aksidentin e tmerrshëm, institucionet përgjegjëse të marrin masat!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas aksidentit tragjik të ndodhur në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Kreu i shtetit është shprehur thellësisht i tronditur për ngjarjen, duke lutur për shpirtrat e viktimave dhe duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të tyre.

Presidenti Begaj ka bërë thirrje për institucionet përgjegjëse që të rrisin masat për sigurinë rrugore dhe të zhvillojnë një hetim të plotë për zbardhjen e aksidentit, ndërsa ka apeluar edhe për më shumë përgjegjshmëri nga qytetarët në zbatimin e ligjit, duke theksuar se jeta dhe siguria janë të shenjta.

“I tronditur thellë për aksidentin e tmerrshëm në Durrës, ku humbën jetën dy vogëlushë dhe një tjetër u plagos shumë rëndë.
Lutem me përunjësi për shpirtrat e tyre!
Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël.
Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital.
Institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim, të bëjnë një hetim shterues për ngjarjen dhe qytetarët të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit.
Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë!”

InfoShqip