E hënë, 04 Maj 2026
Lajme

​Haxhiu për anëtarin e dhjetë të KQZ-së: Kaluan të gjitha afatet, s’e di a do të ketë ndonjë vendim

Image

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka lënë të hapur mundësinë që mos ta emërojë anëtarin e dhjetë të KQZ-së, pas pretendimeve të LVV-së dhe PDK-së për këtë pozitë.

Ajo tha se KQZ funksionon edhe me nëntë anëtarë të deleguar nga partitë politike dhe anëtari i dhjetë është kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

Sipas saj, tanimë kanë kaluar të gjitha afatet ligjore dhe se nuk e di a do të ketë një vendim për këtë çështje.

“Duke qenë se kanë kaluar të gjitha afatet për emërimin edhe të një anëtari, unë do ta trajtoj këtë me seriozitetin më të lartë. E rëndësishme ka qenë për mua të kuptoj nëse do të bllokohet KQZ-ja nëse nuk e ka një anëtar. Kam marrë informacione se asgjë nuk rrezikohet nga kjo situatë, andaj do të veproj në përputhje me përgjegjësitë atëherë kur e mendoj se duhet të veproj. I kam dy kërkesa, njëra nga LVV dhe një nga PDK, mirëpo ju e dini se mendimi im për këtë është tash e sa kohë, jo prej momentit kur e kam marrë detyrën. Nuk e di a do të ketë, do të shohim a do të ketë, por e rëndësishme për mua është të respektohet fuqia e subjekteve politike që ua kanë dhënë qytetarët e Kosovës. Fuqia dhe proporcionaliteti janë parime të rëndësishme”, tha ajo.

Në anën tjetër, Haxhiu tha se është ende herët të flitet, derisa u pyet se me kë synon LVV-ja të bëjë marrëveshje pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Është ende herët të flasim për këtë”, tha ajo.

Këto komente u.d. e presidentes i bëri të hënën pas vizitës në Shoqatën e Lidhjes dhe Invalidëve të Viktimave Civile në Kosovë./KosovaPress/

InfoShqip