E hënë, 04 Maj 2026
Lajme

Tragjedia në Durrës, Braçe në Kuvend: Ngjarja duhet trajtuar si vrasje, jo si shkelje rrugore! Të ndryshojmë Kodin Penal

A 33 681x400

Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar këtë të hënë në sallën e parlamentit që të rishikohet Kodi Rrugor dhe ai Penal, ku ngjarje të rënda si ajo e djeshmja në Durrës, ku dy fëmijë u përplasën për vdekje nga një makinë dhe një tjetër mbeti i plagosur, të mos trajtohen si aksidente, por si vrasje.

Braçe theksoi se nuk është normale që dikush që drejton mjetin në gjendje të dehur, apo që aksidenton, të hetohet vetëm për shkelje të rregullave të qarkullimit, por të hetohet për vrasje.

Sipas tij, Kodi Rrugor heq vetëm pikë kur bëhet fjalë për persona të dehur në timon, ndërsa për ata që kanë para nuk u preket as patenta.

Dy familje përcollën dy shpirtrat e tyre. Një i tretë është në luftë për jetën. Një krim i rëndë në një rrugë lagjeje, vrasje me dashje për mua dhe asnjëherë aksident. Një ngjarje e përsëritur në rrugë kombëtare apo të shpejtësisë, por edhe në rrugë vendore, qytetesh, lagjesh dhe fshatrash. Dje kam publikuar videon e aksidentit pa censurë, për të vetmen arsye: për të mos normalizuar një krim të tillë. Kodi Rrugor dhe më pas ai Penal e normalizojnë një krim të tillë.

Një i pirë, për më keq pastaj një i dehur që ngas një makinë në rrugë, ndalohet, shoqërohet, dërgohet në paraburgim; në çdo rast lirohet pas 2 ditësh dhe procedimi i tij vazhdon në liri. Në Kodin Rrugor i hiqen pikë, i hiqen 4-8 pikë nëse është kapur nga ora 6 e mëngjesit deri në 22:00 të mbrëmjes, ngarkohet me një gjobë deri në 20 mijë lekë; praktika është që ai paguan dyfishin që të mos i pezullohet patenta.

Morali është që ti mund të pish, të dehesh, të aksidentosh dhe, në krahun tjetër, ty të hiqet vetëm patenta; dhe në një rast tjetër ti paguan dyfishin e gjobës dhe pezullimi i patentës nuk të ndodh. Nëse e përsërit, shkon në maksimum pezullimi deri në 18 muaj. Nga 0.73% siç ishte i dehuri kësaj radhe, i hiqen 10 pikë.

Ai po hetohet për drejtim të parregullt të mjetit, shkelje të rregullave të qarkullimit dhe largim nga vendi i ngjarjes. Ky është profili i Kodit, ndërkohë banorët kanë një profil tjetër, profilin e një të forti, një të dehuri. Kjo nuk është shkelje e qarkullimit rrugor, kjo është vrasje. Ndryshimet e reja në Kodin Penal të riformulohen. Një i dehur që ngas makinën, edhe kur ndalohet nga ligji, hyn në rrugë për të vrarë”, tha Braçe.

InfoShqip