
Gjykata e Lartë ka ndryshuar pjesërisht kriteret për caktimin e paraburgimit.
Unanimisht të 16 Gjyqtarët e Lartë vendosën që praktika unifikuese e 2011 për caktimin e masës së sigurisë arrest në burg, të riformulohet. Sipas praktikës së re, gjykatat duhet të marrin parasysh personalitetin të dyshuarit kur vendosin masën “arrest në burg”.
“Ky vlerësim duhet të mbështetet në rrethanat specifike të faktit, në mënyrën e kryerjes së veprës dhe në të dhënat që lidhen me personin ndaj të cilit caktohet masa e sigurimit, përfshirë personalitetin, sjelljen, rrethanat individuale e familjare, si dhe çdo tregues tjetër të rëndësishëm për vlerësimin e rrezikut real procedural ose shoqëror që ai paraqet në çështjen konkrete”, tha Sokol Sadushi, kryetar i Gjykatës së Lartë.
Izolimi nuk duhet të bazohet thjesht te natyra e veprës penale, por te rreziqet konkrete që paraqet i pandehuri nëse lihet me një masë më të butë.
Një tjetër ndryshim është se gjykata e faktit tani ka detyrimin të shpjegojë pse nuk ka zgjedhur masa më të lehta sigurie, si detyrimi i paraqitjes apo arresti në shtëpi. Më parë kërkohej vetëm arsyetimi për vendosjen e arrestit në burg. Gjithashtu, edhe prokurori duhet të argumentojë pse kërkon një masë kufizuese të lirisë dhe jo një alternativë më të butë në kërkesën që paraqet në gjykatë.
“Prokurori fillimisht, ka detyrimin të paraqesë dhe të argumentojë në mënyrë konkrete faktet dhe rrethanat që mbështesin nevojën e kësaj mase, përfshirë rrezikun konkret dhe papërshtatshmërinë e masave më pak kufizuese. Gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat e tjera më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i shprehur, i individualizuar dhe i mbështetur në fakte e rrethana të posaçme të çështjes”, shtoi Sokol Sadushi.
Nëse parimet e reja për caktimin e paraburgimit do të prekin edhe zyrtarët dikurshëm që janë burgosur, avokati Luan Hasneziri që mbrojti interesat e Begtash Zenelit, personit që vuri në lëvizje Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, përgjigjet: “Çdokush është i barabartë përpara ligjit. Në këtë kuptim çdo njeri mund të përfitojë nga praktika e re. Hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare”.
Ky ndryshim konsiderohet si një hap që garanton më shumë mbrojtje për liritë dhe të drejtat universale të njeriut.
/vizionplus.tv
