E martë, 05 Maj 2026
Lajme

“Rrugët” në gjykatë/ Fier, shkeljet e Kodit Rrugor kryesojnë çështjet në gjykim

“Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt dhe shkeljet e tjera rrugore përbëjnë numrin më të lartë të dosjeve të gjykuara ose në proces gjykimi në gjykatën e Fierit.

Të dhënat alarmante u publikuan në analizën vjetore ku siç shihet në këtë grafik të hartuar nga vetë gjykata, “drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” përbën numrin më të lartë të krimeve, i ndjekur nga “dhuna në familje” dhe “ndërtimi i paligjshëm”.

Në total gjykata ka marrë në shqyrtim përgjatë vitit që shkoi, 295 dosje për drejtim te mjetit në mënyrë të parregullt dhe afërsisht 80 për shkelje të tjera rrugore. Shifrat për shkeljen e rregullave të qarkullimit janë të njëjta krahasuar  me vitin 2024 ku gjithashtu përbënin volumin më të madh të çështjeve penale të Gjykatës.

Ndërkohë rritje ka shënuar “dhuna në familje” por mbetet gjithsesi në vend të dytë, pas shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor.

Sa i takon, dënimeve Gjykata e Fierit ka aplikuar në masë dënimet alternative sikundër pohoi kreu i gjykatës së Fierit, Noel Veizaj.

Ndërkohë, burime nga komisariati i Fierit, thonë se autorët e “shkeljeve te rregullave te qarkullimit” në 90% te rasteve nuk vuajnë dënim me burg.

Në rastin më të fundit të aksidentit në Fier-Seman ku makina përplasi për vdekje biçiklistin 64 vjeçar, gjykata e la autorin në arrest shtëpie.

Pjesa dërrmuese e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor gjykohen në gjendje të lirë ose me masa të buta sigurie e në fund gjykata jep dënime alternative si gjobat, shërbim prove ose punë e detyruar në shërbim të komunitetit.

Numri i përgjithshëm i veprave penale të gjykuara në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm të Fierit shënoi rritje prej 71 përqind me 10764 dosje penale, nga të cilat janë shqyrtuar më pak se gjysma e tyre.

InfoShqip